Gara në mes të rritjes ekonomike dhe inflacionit në Kosovë

48

 





“Rritja ekonomike në vitin 2019 ishte 4.94 për qind, në vitin 2020 ishte -5.34 për qind, ndërsa në vitin 2021, Kosova kishte rritje ekonomike prej 10.75 për qindësh”.

Kështu ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës(BQK) për portali Dukagjini.

Banka Qendrore e Kosovës

Se a do të ndikojë kjo rritje ekonomike në mirëqenien e qytetarëve dhe nga e ka zanafillën, kanë folur njohësit e ekonomisë.

Ekonomisti, Astrit Ratkoceri ka thënë se me gjithë deklarimet e qeverisë për rritje rekorde ekonomike, në realitet jeta e qytetarit vazhdimisht po rëndohet.

“Rritja ekonomike të cilën po e deklaron qeveria së pari vjen si pasojë e boom-it pas pandemisë e që siç e kemi cekur vazhdimisht krahasimi me vitin e mbylljes si pasojë e pandemisë nuk na jep statistika reale prandaj edhe kemi përqindje të larta të rritjes ekonomike e cila nuk vërehet në mirëqenien e qytetarit”, ka deklaruar ai.

Ekonomisti, Astrit Ratkoceri

Por një propozim se si të ndikojë kjo rritje në mirëqenie të qytetarit, ekonomisti Naim Huruglica është shprehur se qeveria do të duhet që mjetet të cilat i ka mbledhur e të cilat janë si rezultat i këtyre çmimeve të rritura t’i kthejë prapa te qytetarët.

Sepse sipas tij rritja ekonomike e ka zanafillën nga rritja e çmimeve në import.

“Çdo rritje në import rrit dhe të hyrat që në realitet i bënë produktet dhe me të shtrenjta për konsum”, gjersa ka shtuar se kjo nuk e rrit pasurinë e popullit.

Ekonomisti, Naim Huruglica

Ndër të tjera, ekonomisti Ratkoceri ka thënë se rritja buxhetore nuk është duke ardhur nga investimet kapitale sepse siç thotë ai ka ngecje në këtë aspekt pra nuk ka investime kapitale të mëdha.

“Ndërsa ndikimi i inflacionit në rritjen e buxhetit është i dukshëm, pasi që rritja e çmimeve ndikon edhe në rritjen e tatimeve, jo si normë por si vlerë pasi që me rritjen e bazës rritet edhe vlera e cila llogaritet në bazë të përqindjes së caktuar”, i cili këtë e ka ilustruar me një shembull konkret.

“Themi se kemi një produkt i cili në kushte normale ka kushtuar 100 € kur llogarisim normën e TVSH 18% për këtë produkt atëherë kemi 100 * 18% = 18 € TVSH, pra për këtë produkt themi se arka e shtetit është mbushur me 18 € TVSH.

“Në rastin kur kemi inflacion si në rastin konkret dhe kemi rritje të çmimit të këtij produkti po themi se është bërë nga 100 € në 120 € atëherë 120 * 18% = 21.6 € TVSH, në këtë rast për të njejtin produkt që deri me tani eshte mbushur buxheti me 18€ tani e tutje mbushet me 21.6 €”.

Ngjashëm me këtë shembullin e TVSh-së, Ratkoceri ka thënë se janë edhe të gjitha tatimet tjera të cilat kalkulohen me përqindje dhe në momentin e rritjes së vlerës bazë rritet edhe vlera e tatimit.

Sipas tij, ekonomia thotë se kur ka tepricë të parave në treg çmimet rriten.

Ndërsa sipas ekonomistit Huruglica, çmimet në Kosovë nuk janë duke u rritur si rezultat i qarkullimit të tepërt të parave në treg, por për shkak se ka mungesë të parave në treg.

Ndërkaq BQK ka bërë të ditur se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2022, me muajin gusht 2021 ishte 13.0 për qind.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 13 për qind në muajin gusht 2022, krahasuar me muajin gusht 2021.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë.

Çmimi në vajra dhe yndyra ushqimore është rritur për 52.1 për qind sipas Agjencionit për Statistika të Kosovës(ASK).

Gjithashtu dhe në produkte esenciale siç janë lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet dhe të tjera, çmimi ka shënuar rritje prej 48.6 për qind.

Ndërsa çmimi i bukës dhe drithërave është më i shtrenjtë për 32.4 për qind.

32 për qind janë rritur shpenzimet për karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal.

Çfarë thotë qeveria për krizën ekonomike?

Në këtë vit, gjithë botën e ka kapluar një krizë ekonomike.

Duke listuar si arsye kryesore luftën në Ukrainë, të gjitha vendet kanë pasur rritje të çmimeve kryesisht në produktet bazë.

E këtë e ka pohuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një deklaratë para mediave i cili kishte thënë se rritja e çmimeve është evidente, por që nuk po ndodh vetëm në Kosovë.

Po ashtu edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati disa herë radhazi ka përmendur buxhetin e Kosovës, për të cilin ka thënë se pritet të rritet si rezultat i rritjes ekonomike.

Sipas tij, në tremujorin e parë të këtij viti ka pasur rritje të të hyrave prej 20 për qind.

Ai ka thënë se nëse vazhdon ky trend, Kosova mund ta ketë rritjen më të madhe ekonomike në rajon.

Ndër të tjera, Murati e ka krahasuar pakon e ndihmës ekonomike të Qeverisë për t’u përballur me inflacionin në vlerë prej 150 milionë eurosh, me pakon e ndihmave që Qeveria gjermane ka prezantuar më katër shtator në vlerë prej 65 miliardë  eurosh.

Këtë pako, opozita e kishte quajtur “lëmoshë” për qytetarët.

Shum herë, opozita kishte bërë propozime për të dalë nga kriza ekonomike, por që në anën tjetër ministri Murati deklaronte se ka rritje ekonomike dhe rritje depozitore të bankave në Kosovë.

Po ashtu edhe shefi i ekzekutivit, Kurti para disa ditësh ka përkujtuar një vit e gjysmë qeverisje duke thënë që vitin e kaluar kanë shënuar rritje ekonomike prej 10,7 për qind, të cilën e konsideron si rritjen më të madhe në rajon.

Kurti ka shtuar se në vitin 2021 kishin pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët dhe studentët e të tjerë.

Kurti ka theksuar se të hyrat e ATK-së për periudhën janar-gusht 2022 janë 22.2 për qind më të larta.

Përkundër të gjithave deklaratave,  qytetarët në realitet vazhdojnë të përballen me krizën ekonomike që ka kapluar vendin, gjë që po reflekton në rritjen e çmimeve dhe rëndimin e jetesës.

 





LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here