Kasami shkatëron hapësirat e gjelbra për ndërtime të egra?

36

Dy javë pas raportimit të Portalb.mk për mungesën e parkingjeve dhe kërkesat e banorëve për të njëjtën në hapësirën e njohur si te “Stacioni i Vjetër i Zjarrfikësve” në Tetovë, dje filluan punimet. Por, për këtë qëllim u prenë drunjtë ndërsa Komuna e Tetovës nuk tregon nëse të njëjtit do zëvendësohen me të rinj. Sipas planit, kjo hapësirë planifikohet të shndërrohet në parking të mbyllur.

Кomuna e Tetovës me 22 korrik ka nënshkruar kontratë me “Çabi Trans” për ndërtim të parkingjeve të mbyllura në territorin e Komunës së Tetovës. Vera e kësaj kontrate është 3 milion denarë me TVSH.

Në këtë hapësirë, e njohur ndryshe edhe si pas hamburgerisë “Tajo” në Tetovë u prenë disa drunj të mëdhenj. Portalb.mk ishte dje pasdite aty dhe pa se makineritë e kompanisë “Çabi Trans” po punonin dhe pastronin hapësirën dhe largonin drunjtë.

Komuna e Tetovës për Tetovoinfo njoftoi se me kërkesë të banorëve do të rregullojë këtë hapësirë në bllokun 37 dhe se do të jetë parking i mbyllur.

Sipas informacioneve, 100 banorë tashmë në vitin 2017 dhe në shkurt 2022 kanë nënshkruar një kërkesë për riparimin e të gjithë rrugës – shtrimin e saj me pllaka betoni, vendosjen e dritave dhe rregullimin e parkingut.

Mirëpo, ky veprim nuk u prit mirë nga shoqëria civile.

Nisma “Tetova do Park“ e cila advokon për mbrojtjen e hapësirave të gjelbra në këtë qytet, thotë se Komuna e Tetovës dhe kreu, Billall Kasami i kanë bindur ata se mundën të shkatërrojnë edhe atë pak gjelbërim të mbetur në qytet.

Në emër të qytetarëve nga kjo nismë komunës dhe kryetarit të saj i kërkojnë publikisht përgjigje për pyetjes si vijon:

“A është pronë private vendi që deri sot në mëngjes kishte gjelbërim dhe pemë?
A ju dhanë banorët pëlqim për prerjen?
A ishin edhe këto pemë të vjetra dhe të sëmura?
Cili është qëllimi i prerjes së drunjëve?
Sa pemë kanë mbetur për t’u prerë në qytet?
Deri kur amatorët dhe njerëzit dritëshkurtër do t’i formësojnë politikat komunale?
Kur të prisni pemën e fundit të vjetër në qytet dhe të betoni lëndinat e fundit, si do të siguroni hapësira të reja parkimi?
A do ta kuptoni vetëm atëherë se shkatërrimi i atyre pak hapësirave të gjelbra në qytet për të siguruar një hapësirë ​​shtesë parkimi nuk është dhe nuk mund të jetë një zgjidhje për bllokimin e trafikut?”

Këto kërkesa të “Tetova do Park”, u mbështetën edhe nga nisma qytetare “Më mire për Tetovën”.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se cila është arsyeja e prerjes së drunjve dhe se a do të mbillen drunj të rinj aty.

“Do të vendosen pllaka të reja bekaton, do të vendosen shenja horizontale, ndriçim dhe rampë për hyrje dhe dalje në parking. Më datë 26.07.2022 është dhënë urdhër për punime ndërtimore në rr. D.G.Kara – blloku urban 37”, thuhet në informimin e Komunës së Tetovës për Tetovoinfo, duke shtuar se punimet zhvillohen në koordinim me banorët që jetojnë aty dhe se nuk ka probleme.

Kujtojmë që vetëm para dy javësh qytetarët të cilët jetojnë në këtë hapësirë për Portalb.mk deklaruan problemet me infrastrukturën dhe parkingjet.

Komuna e Tetovës para disa muajsh preu drunjtë e vjetër përgjatë rrugës Strasho Pinxhur dhe zëvendësoi ata me të rinj. Ky veprim nuk u mirëprit nga shoqëria civlie dhe nxiti reagime shumë të ashpra në opinion.

Komuna e Tetovës për Portalb.mk në muajin korrik njoftoi se pikërisht në këtë rrugë, ishte paraparë parking zonal, ku aso kohe thanë se janë në pritje të inspektoratit për mënjanimin e pengesave, por deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here