Kurti: Ne nuk jemi popull historik i llojit pushtues, por jemi popull historik i llojit çlirimtar

24





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në shënim të Ditës së Flamurit, e ka mbajtur një fjalim të gjatë, duke i përmendur vlerat e shqiptarëve dhe Shqipërisë ndër vite.

Kurti tha se 28 nëntori, është data më e madhe e shqiptarëve “si datë e themelimit të shtetit të kombit, andaj na shërben si datë e perceptimit të thellë”.

“Ne duhet ta shohim dhe dëgjojmë atdheun e Ismail bej Vlorës dhe Isa Boletinit, siç ata e shihnin dhe e ndjenin atë ditë. Ata deklaruan një shtet të cilin një vit më vonë fuqitë e mëdha do ta copëtonin nën presionin e perandorisë ruse dhe fuqive të vogla ballkanike. Pyetja është: sa arritën ta copëtojnë ndërgjegjen tonë kombëtare?”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.

Kurti, u shpreh se populli shqiptar është popull historik, jo si pushtues por si çlirimtar.

“Ne jemi një popull historik, por jo popull historik i llojit pushtues. Sot mbajmë mbi shpinën e kombit rezultatet e epokës së pushtimeve dhe konferencave të territoreve. Por ndërgjegjja jonë nuk u ndrydh edhe kur kampi ideologjik na përfshiu dhe u përpoq të na e rrudhte vetëdijen. Muret i ngre pushtimi dhe i mban gjallë frika. Është e sigurt se muret e perandorive, muret e ideologjive, muret e pushtimeve bien kur mbahet gjallë vetëdija”, ka deklaruar Kurti.

Tutje ai theksoi se Kosova do të jepte më shumë siguri Ballkanit dhe Evropës, nëse do të anëtarësohej në NATO dhe BE.

“Ne do t’i japim siguri e paqe Ballkanit dhe Evropës nëse integrohemi sipas vështrimit të Ismail Vlorës dhe bashkëfirmëtarëve të tij. Nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri”, ka thënë ai.

Kurti, u shpreh se populli shqiptar historikisht ka qenë i drejtë duke u frymëzuar nga rilindasit e mëdhenj shqiptarë.





LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here