Qenan Aliu: Veting në këtë shtet mund të realizojë klasa e re politike

Një nga reformat që mund të sjellë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit është vetingu, por për ta zbatuar duhet miratohet një ligj përkatës, thotë juristi Qenan Aliu në një prononcim për PRESSonline.mk

“Ky proces nuk mund të zbatohet pa një ligj përkatës. Nuk mjafton vetëm ligji por edhe amendim kushtetues lidhur me këtë çështje. Shoqëria padyshim se ka nevojë për veting, në gjyqësor, prokurori, polici dhe politikë. Vetingu nuk mund të ndodhë pa e pastruar skenën politike nga politikanë që kanë abuzuar me fuqinë e pushtetit në mënyra të ndryshme madje edhe disa janë rikthyer në skenë pas tërheqjes. Një gjë duhet ta kemi parasysh se veting në këtë shtet do të mund ta realizojë vetëm klasa e re politike duke shpërfaqur vullnet politik madje me mbështetje të një trupi ndërkombëtarësh i cili do të duhej të theksohet në amendimin e kushtetutës”, deklaroi Aliu.

Edhe ambasadori francez në vend, Siril Baumgartner ka deklaruar se një nga reformat që mund të sjellë rezultate të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit është vetingu, por për ta zbatuar, sipas tij, duhen burime njerëzore.

Në anën tjetër, ditë më parë zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, me rastin e ditës ndërkombëtare të luftës ndaj korrupsionit deklaroi se pa veting nuk ka sukses në luftën kundër krimit.
Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski këto ditë deklaroi se është duke u përgatitur projektligji i ri për veting.

Më 31 janar 2020, grupi parlamentar i BDI-së ka dorëzuar në Parlament projektligjin për veting për personat që mbajnë funksione publike në organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Ky ligj parashikon ngritjen e një Agjencie që do të kontrollonte të gjithë titullarët aktualë të funksioneve publike, si dhe të gjithë ata që do të kandidojnë. Ligji nuk kaloi dhe dhjetë ditë më vonë Parlamenti u shpërnda për shkak të zgjedhjeve të planifikuara.

Sipas përkufizimit, vetingu është një kontroll i një personi të caktuar përpara se të marrë një pozicion të ri. Por për të zbatuar sistemin e vetingut dhe për të pastruar të gjitha institucionet duhen standarde dhe kushte që duhet ta mundësojnë atë.

Në rajon vetëm Shqipëria pati guximin të bënte vetingun në radhët e sistemit gjyqësor. Ky proces filloi në vitin 2016 dhe ekspozoi një përqindje të madhe të korrupsionit ndërmjet gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. Mbi 60 për qind e gjyqtarëve u zëvendësuan dhe një pjesë e madhe e tyre dhanë dorëheqjen para fillimit të vetingut.