Imami Mjekiqi: Burri ka mundësi t’i marrë katër gra kurse gruaja vetëm një burrë!

Kreu i Bashkësisë Islame në Obiliq, Behar Mjekiqi, ligjëronte për mundësinë që burrat t’i kenë deri në “tri dhe katër gra”.

Në një intervistë televizive katër vjet më parë, imami që është arrestuar të mërkurën për dhunë ndaj një gruaje, thoshte se burri ka të drejtë t’i marrë një, dy, tri apo katër gra. Siç duket, deklaratën e thënë vet e ka realizuar edhe në jetën e përditshme.

Por atëkohë, ai shprehej se e njëjta gjë nuk mund të vlejë edhe për gratë në raport me burrat.

“Burri ka mundësi t’i marrë 1 grua, 2, 3 dhe 4. Dhe gruaja nuk ka mundësi ta marrë një burrë, dy a po tre. Pse? Unë nuk jam femër, por është krenari e femrës që Zoti nuk e ka lënë të pështjellët me shumë burra, 1,2,3”, kishte thënë imami Mjekiqi në majin e 2018, në një intervistë për ‘Eliteshow’.
Mjekiqi, kishte folur më parë edhe për përparësitë që i ka gruaja karshi burrit.

Ai thoshte se sipas Kuranit gruaja është përmendur e para e pastaj burri.

“Barazia gjinore mendoj që ne burrat jemi më ulët se gratë. Zoti në Kuran ma së pari e ka përmendur gruan pastaj burrin. Kur e kanë pyetur pejgamberin se kë duhet me dashtë më shumë, ka thënë nënën. Pejgamberi ka thënë se ai që i ka një vajzë, dy ose tri që i shkollon, i marton dhe i rehaton e ka xhenetin, por s’ka thënë për tre djem, ka thënë për tri vajza”, ka thënë ai.