“Të gjitha trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, protestë para ambasadës serbe në Tiranë

Para ambasadës së Serbisë në Tiranë është duke u mbajtur një protestë teksa janë bërë 19 ditë nga vendosja e barrikadave nga ana e serbëve në veri të vendit.

Protestuesit kanë përshkruar rrugën “Ukraina e Lirë” deri para godinës së ambasadës serbe duke valëvitur falmuj kombëtarë e duke kënduar himnin kombëtar e këngë të tjera patriotike.

“Ne jemi një”, “Të gjithë trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Jo asosacioneve në tokat shqiptare”, ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Protestuesit gjithashtu kanë përdorur edhe thirrje “Kosova është Shqipëri”, si dhe kanë shprehur kundërshtimin e tyre për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, duke thënë se në ato komuna ka edhe popullësi të kombësive të tjera.

Kujtojmë se kjo protestë vjen në një kohë kur tensionet në vend janë të larta, për shkak të vendosjes së barrikadave në veri të vendit. Ndërkohë, Serbia ka vendosur në gatishmëri të plotë ushtrinë dhe policinë si dhe ka pozicionuar trupa në kufi me Kosovën./A2news/