Shkup, 5 janar – Ministria e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) informon se në pajtim me Ligjin për mbështetje financiare të kategorive të ndjeshme të qytetarëve për përballje me krizën energjetike, listat e shfrytëzuesve të mbështetjes financiare në pajtim me ligjin janë publikuar në ueb-faqen e tyre.
Mjetet për shfrytëzues të mbështetjes financiare për përballje me krizën energjetike do të paguhen më 12 janar 2023.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë publikuar shfrytëzuesit e së drejtës së sigurisë sociale të personave të moshuar, shtesës së posaçme, kompensimit për shkak të pengesës, shfrytëzues të kompensimit për ndihmë dhe kujdes nga personi tjetër me ndryshime të përhershme në gjendjen shëndetësore pa nevojë të kontrollit dhe nuk shfrytëzojnë të drejtën e kompensimit për shkak të pengesës, si dhe prindërit e vetëm të cilët janë shfrytëzues të evidentuar të ndihmës së garantuar minimale.
Në ueb-faqen e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe të Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut janë publikuar shfrytëzuesit e pensionit në shumë jo më të madhe se 11.525 në muaj, përkatësisht në shumë jo më të madhe se 14.000 denarë në muaj, si dhe shfrytëzues të së drejtës së kompensimit për dëmtim trupor.
Në ueb-faqen e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë publikuar persona të papunë – shfrytëzues të së drejtës së sigurimit material në lloj të kompensimit në të holla.
“Lista publikohet me qëllim që qytetarët të mund të bëjnë kontrollin, ndërsa nëse personi nuk është në listë, ndërkaq konsideron se i përmbushë kushtet si shfrytëzues i së drejtës, mund të parashtrojë ankesë në Komisionin për vendim-marrje rreth ankesave për mbështetje financiare pranë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, në afat prej tre ditëve nga dita e publikimit të listave të shfrytëzuesve të mbështetjes financiare”, thuhet në kumtesë.
Ankesa mund të parashtrohet përmes arkivit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale apo përmes postës elektronike mtsp@mtsp.gov.mk.
Lista e shfrytëzuesve të mjeteve për mbështetje financiare për përballje me krizën energjetike do të hiqet nga ueb-faqja e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ueb-faqja e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë së Veriut dhe ueb-faqja e Agjencisë për punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut pas skadimit të tre ditëve nga dita e publikimit.