Papa Françesku thirrje ambasadorëve për ndalimin e armëve berthamore
Në takimin e përvitshëm me përfaqësues të trupit diplomatik që zhvilloi në selinë e shenjtë, Papa Françesku i konsideroi luftërat si ajo në Ukrainë që u shkaktojnë vuajtje të mëdha civilëve si “krime kundër Zotit dhe njerëzimit”.
“Sot është duke u zhvilluar Lufta e Tretë Botërore. Shembull për këtë është lufta në Ukrainë me vdekje dhe shkatërrime, me sulme ndaj infrastrukturës civile që po u merr jetën të pafajshmëve jo vetëm me plumba por edhe përmes urisë dhe të ftohtit”.
Diplomatëve nga 180 vende të botës, ku e pranishme ishte edhe e ngarkuara me punë e Shqipërisë, Majlinda Dodaj, Ati i Shenjtë u bëri thirrje për ndalimin e plotë të armëve bërthamore, duke sjellë në kujtesë edhe krizën e raketave kubane të 1962-shit.
“Për fat të keq, edhe sot kërcënimi bërthamor është i lartë dhe bota ndjen frikë dhe ankth. Përballë këtij kërcënimi, të gjithë jemi humbës”.
Papa Françesku dënoi edhe ekzekutimin me varje të tre protestuesve në Iran, të cilët u ndaluan gjatë protestave për vrasjen nga policia të 22-vjeçares Mahsa Amini, në Shtator.
Tv Klan