Policia e Shkodrës ka çmontuar 21 kamera sigurie të cilat ishin vendosur në shtyllat elektrike.
Në njoftimin për media, Policia thotë se kamerat ishin instaluar me qëllim marrjen e informacioneve mbi lëvizjen e efektivëve.
Kamerat, thotë policia, ishin instaluar “për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë”, ndërsa thekson se forcat e rendit kanë organizuar punën për identifikimin e personave që kishin vendosur këto kamera dhe çmontimin e tyre.
“Mbështetur nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, strukturat hetimore të DVP Shkodër kanë çmontuar dhe sekuestruar 21 kamera të lidhura nëpërmjet celularit, nga të cilat 8 të instaluara në vende dhe sheshe publike, në aksin rrugor nga rrethrotullimi ‘5 Heronjtë’ deri tek rrethrrotullimi i parë i bypassit të Shkodrës, ndërsa 13 të tjera të instaluara në aksin rrugor nga rrethrrotullimi ‘5 Heronjtë’ deri te rrethrrotullimi i Dobraçit. Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me Ligjin 9887, datë 10.03.2008 ‘Mbrojtja e të dhënave personale’ dhe përbën veprën penale ‘Ndërhyrje të padrejta në jetën private’, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, Policia thotë se vijon puna intensive për identifikimin e personave që kanë instaluar kamerat dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së këtyre kamerave. /Klankosova.tv