Streha tjetër ku fshihej mafiozi më i kërkuar i Italisë, Matteo Messina Denaro, është zbuluar në pjesën e pasme të një gardeorobe. Policia italiane ka njoftuar se streha e zbuluar ndodhet në një shtëpi rreth 300 metra larg strehës së parë të bosit të mafies në qytetin sicilian të Campobello di Mazara. Ai u arrestua të martën në një klinikë private në kryeqytetin e Siçilisë, Palermo.
Për 3 dekada, Policia ka qenë në kërkim të Messina Denaros. Ai ishte duke iu nënshtruar trajtimit për kancer në klinikë dhe e kishte bërë takimin me një emër të rremë.
Sipas mediave ndërkombëtare, informacioni i marrë nga policia se Denario ndodhej në një klinikë në Palermo për të trajtuar një tumor rezultoi vendimtar për arrestimin e një prej “kumbarëve” të fundit të mafias siciliane.
Por për stafin e klinikës La Maddalena ku edhe u arrestua ai ishte Andrea Bonafede, me profesion topograf. Shumë pak do të dyshonin se pas atij personi të qetë do të fshihej një nga personat më të kërkuar në Itali.
Por si arritën hetuesit te njeriu që në të vërtetë ishte Matteo Messina Denaro? Për rreth tre muaj, hetuesit e kanë kuptuar se Denaro mund ta përdorte një identitet të rremë për t’u shëruar. Nga përgjimet e miqve dhe të afërmve, hetuesit konfirmuan se ai ishte i sëmurë rëndë, aq sa iu nënshtrua dy operacioneve të rëndësishme.
Në atë moment, filluan hetimet për pacientët me kancer me një moshë të ngjashme me atë të Messina Denaro.
Kur policia hyri në klinikë për ta arrestuar Denaro dyshohet se u përpoq të arratisej por kur kuptoi se ishte i rrethuar nuk bëri asnjë rezistencë. Kur u prangos, një oficer policie e pyeti për emrin dhe 60-vjeçari u përgjigj “Unë jam Matteo Messina Denaro”.
Policia italiane ka zbuluar gjithashtu edhe strehën e bosit të mafies që është në qytetin e Trapanit.
Gjatë kohës së tij në krye të sindikatës së krimit të organizuar Cosa Nostra, Messina Denaro mbikëqyri shantazhin, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës. Ai u dënua në mungesë në vitin 2002 për një sërë vrasjesh. Detajet se si jetoi Messina Denaro para arrestimit të tij kanë nisur të dalin.
Ai jetonte në një shtëpi të thjeshtë në Campobello di Mazara, 116 km (72 milje) nga Palermo dhe vetëm 8 km nga vendlindja e tij Castelvetrano.
Sipas raporteve fillestare, Policia nuk gjeti armë në strehën e parë, por zbuloi parfume luksoze, mobilje të shtrenjta dhe rroba të stilistëve./tvklan.al