Nuk ka më kohë dhe hapësirë për kalkulime dhe mashtrime. Ose jeni për Evropën ose jeni kundër saj. Nuk ka vend për një zonë të mesme, sepse nuk ka alternativë tjetër, tha Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë , Artan Grubi, duke u bërë thirrje të gjithëve t’i bashkohen, siç tha ai, shumicës progresive “në rrugën drejt Aleancës Evropiane”.
“Ejani të gjithë, maqedonas, shqiptarë, turqë, romë, serb, vlleh, boshnjak, parti politikë, shoqëri civile, media, opinionbërës, bota akademike dhe qytetarë në vijën e parë të frontit të maqedonisë europiane” – bëri thirrje Grubi, në prononcimin e tij hyrës në konferencën vjetore të Qeverisë “Vit i mundësive të reja”.
Sipas Grubit, edhe pse ka pasur tentativa për ta zhytur vendin në paparashikueshmëri dhe kërcënime të tilla ende nuk kanë të ndalur, kjo nuk i dekurajon, siç thotë ai, të realizojnë atë që u kanë premtuar qytetarëve – barazi, zhvillim, integrim, paqe, siguri dhe stabilitet.
“Në korrik të vitit të kaluar, më në fund nisëm negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Edhe pas kësaj, lindi dielli sërish, dhe po flasim të njejtat gjuhë që i flisnim, po shkuajmë siç shkruanim, po ndjehemi siç jemi, pa lejuar asnjë imponim, por tashmë si vend që po negocion me Brukselin. Politika e qeverisë sonë është e guximshme dhe përparimtare, politikë e zero problemeve me fqinjtë dhe partneritet të plotë rajonal dhe euro-amerikan”, potencoi Grubi.
Ata që paraqiten si kuazi-patriotë, sipas Grubit, duan vetëm pushtet dhe ta mbajnë vendin të izoluar nga bota perëndimore, duke shpikur frikë inekzistente për të frikësuar qytetarët.
“Më këto politika absurde të frikës i humbëm 10 vite të jetës sonë. Sot, po ata që instalojnë frika të paqena, i thonë përfaqësuesve ndërkombëtarë që ne do ta ndryshojmë kushtetutën pasi që të marrim pushtetin dhe i kemi metodat se si, por na duhet pushteti. Është mirë që këtë ta dijnë edhe bashkëpartiakët e tyre. E kanë për pushtet të dashurit e mi, nuk e kanë për patriotizëm”, theksoi Grubi.
Në një kohë kur i gjithë rajoni përdoret si poligon për ndikim, ne, theksoi Grubi, si shumicë progresive sfidojmë të gjithë në rrugën drejt një aleance evropiane.
“Kjo rrugë është e vetmja edhe për projektet, autostradat, hekurudhat, deponitë, shkollat, spitalet, çerdhet, edhe për standardin jetësor, edhe për sundimin e ligjit, edhe për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe për pastrimin e rradhëve tona shoqërore dhe publike nga instaluesit e frikës dhe penguesit direkt e indirekt të rrugës europlane”, theksoi Grubi.