Analistët: “Fronti për Europë” të zyrtarizohet sa më parë

Ideja për bashkim në një front të përbashkët është e qëlluar dhe ndoshta në zgjedhjete e ardhëshem do të imponohet në realitetin politik në Maqedonin e Veriut, vlerëson politikologu Enver Salihi, duke komentuar idenë e liderit të Bashkimit Demoktratik për Integrim (BDI) – Ali Ahmeti për një aleancë të të gjitha forcave progresive në frontin “Bashkë për Europë”.

“Ideja për bashkim në një front të përbashkët është e qëlluar dhe ndoshta në zgjedhjet e ardhshme do të imponohet në realitetin politik në Maqedonin e Veriut, duke pasur parasysh se fitorja eventuale e opozitës maqedonase me qëndrime kaq të forta, do të shkaktonte një efekt negativ në proceset euro-integruese dhe në marrëdhëniet ndërfqinjsore. Sipas mendimit tim, tanimë është dakorduar në princip edhe kjo pjesmarrje në format të tillë dhe këtu nuk është me rëndësi kush do të humbë, BDI apo partitë opozitare, por me rëndësi është se do të fitojnë forcat progresive dhe gjithë qytetarët”, deklaroi për Indeks.mk, Enver Salihi.

Në anën tjetër politikologu, Blagojçe Atanasoski thotë se Ahmeti duhet ta zyrtarizojë sa më parë që është e mundur këtë nismë.

“Nëse Ahmeti është realist në deklaratat e tij, duhet ta bëjë sa më parë, të mos kalojë me rezultatet paszgjedhore, pra të bëjë koalicion parazgjedhor me të cilin do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse shkon sipas mënyrës së vjetër, me politikën “fituesi me fitues”, atëherë kjo nismë është joreale, kjo nënkupton një blof politik i liderit të integruesve, përveç deklaratave retorike, për realizim duhet të shohim të bëhet realitet shpallja e tij”, nënvizoi Atanasoski.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, më 17 janar shpalosi idenë e formimit të një fronti apo aleance evropiane në Maqedoninë e Veriut, e cila do të përfshinte të gjitha partitë politike që janë të gatshme të çojnë përpara procesin e integrimit evropian, pa marrë parasysh koston politike. Këtë ide ai e elaboroi pikërisht në 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, figurës kryesore historike të shqiptarëve etnikë, e cila simbolizon orientimin strategjik të tyre drejt Evropës. /Indeks.mk/