Osmani: Të gjitha forcat politike në Kuvend të punojnë në procesin e anëtarësimit në BE

Pa kurrfarë dilemash mbesim në linjë me pozicionet e aleatëve të NATO-s për dënimin e prerë dhe të qartë të agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës si kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Këtë sot e theksoi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në një video fjalim në panelin “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes, sfidat dhe mundësitë për sigurimin e bashkëpunimit dhe sigurisë ndërkombëtare” në ditën e dytë të konferencës së sivjetme “Viti i mundësive të reja“ që e organizon Qeveria.

Ai u përqendrua edhe në kryesimin e vendit me OSBE-në, duke theksuar se kjo paraqet një moment historik për Maqedoninë e Veriut, por edhe një sfidë të madhe diplomatike, sepse po zhvillohet në marrëdhëniet ndërkombëtare jashtëzakonisht komplekse.

Osmani shtoi se ne mbetemi të përkushtuar ndaj politikës së dyerve të hapura të Kartës së Adriatikut A5 me mbështetje për zgjerimin e saj me anëtare të reja.

“Presim të përfundojmë me skriningun deri në nëntor të këtij viti, ndërsa kemi për qëllim ta hapim edhe klasterin e parë për negociata për anëtarësim në BE. Kuvendi ynë do të ketë një rol kyç në procesin e anëtarësimit, prandaj është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të punojnë në këtë drejtim”, theksoi Osmani, duke shtuar se vitin e ardhshëm do të angazhohet për një debat të gjerë me qëllim që të luftojmë kundër propagandave.

Prioriteti kryesor, potencon shefi i diplomacisë, do të jenë marrëdhëniet e mira fqinjësore. Lidhur me Bullgarinë, tha ai, kemi qëllime të sinqerta, ta kthejmë trendin pozitiv të dialogut dhe bashkëpunimit të vendosur vitin e kaluar.

“Mbetemi të përkushtuar që të punojmë për qetësimin e tensioneve dhe deeskalimit të atmosferës së nxehtë”, tha Osmani, duke shtuar se për ne është e rëndësishme të mos lejojmë provokime në të dyja anët e kufirit.

Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, në fjalim në të njëjtin Panel duke, theksoi se vendi ynë është i sigurt sepse jemi pjesë e sistemit kolektiv për siguri.

“A ndodhet Republika e Maqedonisë së Veriut sot nën një lloj kërcënimi, kjo është një pyetje legjitime që shtrohet. Nga lloji konvencional i kërcënimeve, jo, por sot edhe shteti ashtu edhe bota, rajoni veçanërisht, po përballemi me kërcënime të ndryshme. Ishim dëshmitarë të kërcënimeve të shumta hibride me të cilat u përballëm, ndërsa rajoni dhe ne po përballemi me sulme kibernetike. E gjithë kjo ka një qëllim, e ai është që me këto metoda të shkaktohet prishja e stabilitetit të institucioneve, ndërsa me këtë edhe të shoqërisë”, tha Petrovska.

Sipas saj, roli i institucioneve dhe i shoqërisë është të ndërtojnë rezistencë ndaj këtyre kërcënimeve, sepse suksesi i atij procesi nuk varet vetëm nga puna e institucioneve, por edhe nga shoqëria në tërësi.

Petrovska u përqendrua edhe në invadimin rus në Ukrainë, duke theksuar se pozicionet e vendit në pikëpamje me këtë konflikt janë të qarta – ne nuk justifikojmë asnjë lloj dhune, veçanërisht jo të këtij lloji – luftë kundër një shteti sovran dhe të pavarur.

Në Panel foli edhe ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i cili tha se në vitin 2022 shënohet ulje e numrit të përgjithshëm të veprave penale, gjegjësisht të kriminalitetit të përgjithshëm, si dhe rritje të efikasitetit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Kemi një rritje të efikasitetit me gati 50 për qind, nëse krahasojmë me vitin 2021, në fushën e korrupsionit. Përforcohet ndërgjegjësimin e qytetarëve që inkurajohen të raportojnë korrupsionin. Për pjesën e migracionit do të përmend Marrëveshjen me FRONTEKS-in, e cila krijoi një bazë të përhershme për përballje të përbashkët me krizën e emigrantëve. Këtu janë mundësitë për ballafaqim me pasojat e krizës”, theksoi Spasovski.