Nga sot, CEFTA nis zbatimin e Rregullave Kalimtare

Palët e CEFTA-s fillojnë nga sot, të zbatojnë rregullat kalimtare për origjinën preferenciale të mallrave, krahas rregullave të Konventës Pan-Euro-Mesdhetare (PEM).

Në pritje të rishikimit të Konventës PEM, shumica e palëve kontraktuese PEM-it, duke përfshirë Palët e CEFTA-s, BE-së dhe EFTA-s, vendosën t’ua lejojnë kompanive të përfitojnë nga rregullat e modernizuara dhe të thjeshtuara të origjinës dhe filluan zbatimin e rregullave kalimtare në baza dypalëshe, transmeton klankosova.tv.

Rregullat e reja janë më fleksibël duke synuar uljen e barrës administrative, dhe për këtë arsye e bëjnë tregtinë më të thjeshtë, ofrojnë më shumë mundësi, si dhe ua mundësojnë kompanive të bëhen më konkurruese në tregje të tjera.

Rregullat hynë në fuqi nga 1 shkurt 2023, pasi të gjitha palët e CEFTA-s i finalizuan procedurat e brendshme.

“Duke zbatuar rregullat e rishikuara, më fleksibël dhe moderne, palët do të jenë në gjendje ta rrisin konkurrueshmërinë e eksporteve të tyre. Rregullat kalimtare për origjinën e mallrave thjeshtojnë sistemin, thjeshtojnë përcaktimin e origjinës së mallrave dhe e lehtësojnë më tej tregtinë në CEFTA dhe me BE-në”, shpjegoi drejtori i Sekretariatit të CEFTA-s Emir Djikiq.

Konventa PEM është një marrëveshje ndërkombëtare që synon vendosjen e një grupi unik të rregullave për origjinën e mallrave.

Palët Kontraktuese të PEM-it filluan diskutimin për rishikimin e Konventës në vitin 2013, me qëllim përshtatjen e saj me realitetin ekonomik. Meqenëse miratimi i Konventës së rishikuar dështoi në vitin 2019, shumica e Palëve Kontraktuese vendosën t’i zbatojnë rregullat e rishikuara paraprakisht.

Aktualisht, dy grupet e rregullave, rregullat origjinale të origjinës PEM dhe rregullat kalimtare, do të zbatohen paralelisht dhe operatorët ekonomikë do të mund të zgjedhin ndërmjet rregullave të zbatueshme.

Cilat janë përfitimet? 

Ky hap i ri që po ndërmerr CEFTA drejt lehtësimit të tregtisë fokusohet në uljen e burokracisë administrative dhe rritjen e vëllimit të tregtisë.

Rregullat e reja parashikojnë disa thjeshtime, duke përfshirë:

  • Rregulla më fleksibël dhe më të thjeshta për produktet
  • Rregulla më fleksibël të tolerancës: Rritja e pjesës së materialeve jo preferenciale në produktet e gatshme nga 10% në 15% në bazë të peshës neto për produktet bujqësore, ndërsa për produktet industriale (përveç tekstileve) toleranca vendoset në 15% të materialeve jo origjinuese bazuar në çmimin ex-works të produktit final.
  • EUR.1 ose deklarata e origjinës do të jetë një lloj i vetëm i vërtetimit të origjinës dhe do të mjaftojë për një periudhë 10 mujore në vend të 4 muajve. 
  • Parashikohen gjithashtu opsionet e dakordimit për aplikimin e një sistemi të eksportuesve të regjistruar dhe dakordimit për përdorimin e vërtetimit të origjinës që lëshohet dhe/ose dorëzohet në mënyrë elektronike. 

Mundësitë e kthimit të detyrimeve dhe akumulimit të plotë si përfitime të rregullave kalimtare, janë zbatuar në CEFTA që nga viti 2019, thuhet në kumtesën e dërguar, transmeton klankosova.tv.