Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, për herë të parë ka folur për disa ide që i ka për t’i realizuar në dikasterin ku e mori udhëheqjen nga 1 dhjetori 2022.
“Seriozisht po punojmë në krijimin e strategjisë të një projekti të veçantë që do të quhet ‘Shtëpia e Miqësisë’. Kjo do të duhet të ishte ‘Shtëpia e miqësisë serbo-shqiptare’. Në këtë mënyrë ne përfaqësuesit e institucioneve mendojmë se bashkëjetesa s’ka alternativë. Kjo është mënyra sesi të kuptohemi e zhvillohemi më mirë”, theksoi Rashiq, njofton Klan Kosova.
Derisa se tregoi vendin ku do ndodhet shtëpia në fjalë, ministri përmendi një projekt kapital, që thotë se po merret me seriozitet. Bëhet fjalë për planin për kthimin e serbëve nëpër qytetet e Kosovës, më saktësisht hapësirat urbane. Ideja në fjalë thekson se erdhi nga kryeministri, Albin Kurti.
“Këtu kemi shumë faza për t’i kaluar, por gjithsesi ne nuk do të heqim dorë nga kjo strategji, pra që të ketë kthimin urban. Po edhe njëherë këtu ju njoftoj se kjo ishte ideja e kryeministrit. Në fakt kjo ide ekziston qysh moti. Më kujtohet se këtë ne deshëm ta nisim më 2007 e 2008, por atëherë e kuptuam se kushtet nuk ishin adekuate”, tha ai.
Nëse kjo realizohet, Rashiq thotë se kjo do të ishte njëra nga arritjet më të mëdha për të personalisht dhe qeverisë ku bën pjesë.
E sa për takimin diskutues të së martës të organizuar nga ambasada amerikane për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Rashiq mohon se u pajtua me Listën Serbe për këtë çështje.
“Sa i përket takimit brenda nuk mund të them që kishim mendimin e njëjtë. Pasi që më së shumti ne kemi debatuar mes vete. Nuk di si mund ta kuptoni këtë por takimi u mbajt me “Chatham House Rules”. Kjo është e tëra që mund të them”.
Ministri për Komunitete dhe Kthim,tha se qeveria duhet të jetë më proaktive në temën e krjimit të AKS-së. Këto komente Rashiq i bëri pas prezentimin të thirrjes publike për pjestarët e komuniteteve joshumicë për disa lloj ndihmash.