Sindikata e Shërbyesve Civilë pritet ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin e Pagave

Përfaqësuesi i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Ali Sefaj është shprehur i pakënaqur me miratimin e koeficientit të Ligjit të Pagave në vlerë të 105 eurove.

Për këtë arsye, Sefaj ka paralajmëruar se do ta dërgojnë këtë ligj gjatë javës së ardhshme në Gjykatë Kushtetuese dhe te Avokati i Popullit, për shkak të dallimeve dhe pabarazisë në koeficientin e pagave.

“Ky ligj në tërësi është i papranueshëm, duke përfshirë dallimet, kategorizimet, pabarazitë në pagat e sektorit publik”, deklaron Sefaj për Klankosova.tv.

Përfaqësuesi i SSHCK-së bëri të qartë se ky hap nga ana e tij dhe sindikalistëve të sektorit publik është krejtësisht apolitik.

“Duhet ta theksoj se çdo veprim nga ana jonë është jopolitik, por ne në këtë mënyrë po mbrojmë të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë punëtorëvë të shërbyesve civilë”, u shpreh Sefaj.

Sot në seancën e Kuvendit u miratua projeltligji i koeficienti të pagave prej 105 eurosh për vitin 2023, i cili pritet të hyjë në fuqi më 6 shkurt.