Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, është kapje e plotë e këtij institucioni publik, i cili sipas tyre, po shndërrohet në mjet propagande për pushtetin, në një reagim për përzgjedhjen e Rilind Gërvallës si drejtor i RTK-së për kanalet shqip.
LDK tha se deri në anulimin e këtij procesi, me të gjitha strukturat e saj udhëheqëse do ta bojkotojë prezencën në këtë kanal publik.
“LDK po ashtu i bën thirrje të gjithë akterëve të tjerë, subjekteve politike e organizatave vendore e ndërkombëtare si dhe figurave të pavarura që të ndjekin një hap të tillë. LDK solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejtë dhe në mënyrë të pavarur”, thuhet në reagim, përcjell Klankosova.tv.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Prandaj, LDK edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa sa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues”.