Gjykimi në Gjykatën Speciale ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, pritet të nis më 1 mars të këtij viti.
Me këtë rast, trupi gjykues ka konstatuar se prokuroria ka dështuar t’i paraqes provat shfajësuese në këtë rast.
“Trupi gjykues është i mendimit se, më shumë se dy vjet pas arrestimit të të akuzuarve dhe nisjes së gjykimit pas më pak se 40 ditë, konteksti i procedurës nuk e arsyeton më zbulimin e vonuar të provave shfajësuese për Mbrojtjen. Paneli gjithashtu rithekson se detyrimi i prokurorisë për t’ia zbuluar këtë lloj informacioni mbrojtjes është po aq i rëndësishëm sa edhe detyrimi për të ndjekur penalisht”, thuhet në njoftimin e publikuar nga trupi gjykues përcjell Klankosova.tv
Trupi gjykues gjithashtu thekson se Prokuroria nuk i ka arsyetuar në mënyrë adekuate vonesat në shpalosjen e materialit në fjalë.
“Në veçanti, fakti që detyrimi për dhënien e informacioneve shfajësuese bazuar në Rregullën 103 është i vazhdueshëm ose “i përsëritur” nuk mund t’i justifikojë ato vonesa. Rregulla 103 kërkon që një material i tillë të shpaloset “menjëherë”, që do të thotë posa ai të jetë në posedim të prokurorisë dhe pa vonesë të panevojshme.”, ka konstatuar paneli gjykues, përcjell Klankosova.tv
Organi i akuzës së Gjykatës Speciale është urdhëruar t’i trajtojë detyrimet e saj për shpalosjen e materialeve si prioritet që kërkon kohë dhe resurse në përpjesëtim me rëndësinë e saj.
“ZPS-ja urdhërohet të zbatojë një përkufizim të gjerë të detyrimeve të saj për shpalosjen e materialeve shfajësuese, sipas Rregullës 103, siç përshkruhet më lart në pikën 29.”, thuhet tutje.
Po ashtu, sipas tyre, çdo kërkesë e mbrojtjes për të shtyrë dëshminë e dëshmitarëve të prokurorisë, materiali dëshmues i të cilëve u shpalos ose do të shpaloset me vonesë, do të merret parasysh nga paneli në rastet kur shpalosja e vonuar e materialit përkatës ka ndikuar dukshëm në mundësinë e mbrojtjes për t’u përgatitur në mënyrë efektive.
Dokumentin e plotë mund ta gjeni KËTU