Konfirmohet aktakuza ndaj Sinan Vllasaliut

Këngëtari Sinan Vllasaliu do të përballet me akuzën se i është shmangur mbi 24 mijë euro tatim shtetit. Kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së tij për hedhje të aktakuzës.

Këngëtari Vllasaliu po akuzohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar vendimin e marrë më 16 shkurt 2023, nga gjykatësja Naime Krasniqi, ku thuhet se kërkesa për hedhje të aktakuzës nuk është e mbështetur në asnjë provë dhe se duhet të vazhdohet me procedimin sipas aktakuzës.

Në kërkesën e parashtruar nga avokati i Vllasaliut, Florent Latifaj është kërkuar hedhja e aktakuzës me arsyetimin se i mbrojturi i tij ka sqaruar se nuk pajtohet me tatimin e paraqitur nga ATK-ja dhe Prokurorit të Shtetit për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015. Pasi që për këto vite fiskale, ai ka paraqitur pagesat e tatimeve të cilat i ka kryer në shtetin e Amerikës, periudhë kjo gjatë të cilës ai ka realizuar të ardhura në vende të ndryshme, ndërsa në periudha të caktuara ka paguar edhe në Kosovë.

Në vendimin e gjykatës thuhet se ka dyshim të bazuar se Vllasaliu ka kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës.