Alibeaj pas takimit me Yuri Kim: Diskutuam për zgjedhjet e 14 majit dhe kandidatët

Enkelejd Alibeaj ka zbuluar detaje nga takimi me ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Përmes një postimi në Twitter, Alibeaj bën me dije se në fokus të bisedës kanë qenë zgjedhjet lokale të 14 majit dhe shqetësimet e ngritura nga OSBE-ODHIR.

Alibeaj shton se e garantoi ambasadoren amerikane për vullnetin e mirë të PD për t’u përfaqësuar denjësisht në zgjedhje, shkruan GazetaTema, përcjell Klankosova.tv.

“Gjatë një takimi të frytshëm dhe miqësor me ambasadoren e SHBA në Tiranë prekëm temat që lidhen me zhvillimet më të fundit në vend për t’u ndalur më gjatë tek ato të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.

Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve.  Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.

Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale.

Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike”, shkruan Alibeaj në Twitter.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS