Osmani: Do të bëjmë të gjitha përpjekjet për të realizuar reformat dhe ndryshimet kushtetuese

Pas sfidave të shumta në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe 22 viteve të pabesueshme që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, Republika e Maqedonisë së Veriut vitin e kaluar bëri një hap historik dhe filloi negociatat për anëtarësim në BE, të cilat shënojnë fillimin e një faze të re dhe cilësisht më të lartë në marrëdhëniet me BE-në përpara anëtarësimit të plotë. Arritja e këtij qëllimi strategjik vitin e kaluar kërkonte guxim politik dhe ne atë e ndërmorëm pa hezitim në interes të bashkëqytetarëve tanë. Shumë në vendin tonë nuk janë ende të bindur se ne kemi marrë vendimin e duhur dhe qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë t’i bindim ata me veprime se zgjerimi është i gjallë dhe se qytetarët tanë së shpejti do të kenë mundësinë të ndiejnë përfitimin konkret të transformimit që është përpara nesh.

Kështu ka theksuar shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bjar Osmani, në një fjalim para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në Bruksel, informon PRESSonline.al.

Ai përkujtoi se në ndërkohë vendi ka filluar me sukses procesin e skriningut të legjislacionit evropian dhe ekipet tona negociuese me përkushtim, njohuri dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm po mbrojnë me sukses përfitimet e punës sonë të palodhur të deritanishme dhe kolegët tanë janë plotësisht të përgatitur dhe të angazhuar për t’u përgjigjur ndaj të gjitha detyrimeve në lidhje me harmonizimin dhe zbatimin e legjislacionit evropian, i cili do të jetë i rëndësishëm për dinamikën e mëtejshme të procesit të negociatave.

Ministri Osmani iu referua edhe dinamikës së reformave të brendshme në vend, duke theksuar se mbetemi plotësisht të përkushtuar për përforcimin e funksionimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit, fusha, siç tha ai, për të cilat jemi të vetëdijshëm se do të jenë të një rëndësie vendimtare për hapat e mëtejshëm. Ndër të tjera ai shtoi se zbatimi i marrëveshjeve të Prespës me Republikën e Greqisë dhe të fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, përmes dialogut të bazuar në respektin reciprok, në frymën e vlerave evropiane, janë dhe do të mbeten prioriteti ynë kryesor.

“Në periudhën e ardhshme, Qeveria jonë do të bëjë të gjitha përpjekjet për të zbatuar me sukses reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, duke përfunduar me sukses procesin e skriningut dhe duke përmbushur kushtin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së nga korriku i kaluar për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese me qëllim hapjen e Kapitullit të parë deri në fund të vitit 2023 dhe dinamizimin e procesit tonë të aksesit. Ne i vendosëm vetes një qëllim ambicioz – që Maqedonia e Veriut të jetë plotësisht e përgatitur për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2030. Që kjo të ndodhë, kemi shumë punë për të bërë” – ka potencuar Osmani.