Plotësimi i kapaciteteve akomoduese në rivierën Ohër-Strugë për festat e Pashkëve dhe 1 Majit paralajmëron një sezon të mirë turistik, thotë kryetari i Asociacionit të Hotelierëve, Kërste Bllazheski. Për fundjavën e ardhshme të pushimeve të zgjatura, hotelierët presin 70 deri në 80 për qind përmbushje të kapaciteteve akomoduese, informon PRESSonline.al.
“Vizitueshmëria është e mirë dhe më shumë se sa pritej. Prandaj mund të thuhet se do të kemi një sezon të mirë turistik në bregdetin e Ohrit, ka deklaruar Bllazheski për MIA.
Ndonëse çmimet për aranzhmanet turistike janë më të larta në krahasim me vitet e kaluara, megjithatë ai pohon se vendi mbetet një destinacion më i lirë krahasuar me qendrat turistike në rajon.
Edhe këtë fundjavë të zgjatur, shton Bllazheski, shumica e mysafirëve do të jenë nga rajoni, e nuk do të mbeten anash as vizitorët vendas. Në këtë periudhë, theksoi ai, posaçërisht janë të pëlqyera turet rrethore, me turistë nga Turqia, por ka edhe grupe lokale nga Greqia.
“Holandezët mbeten më të shumtët në rivierë këtë vit me fluturime të rregullta çarter. Risi janë çarter fluturimet nga Anglia, nga ku ka interesim të madh dhe presim një numër më të madh të anglezëve, theksoi Bllazheski.
Sa i përket turistëve nga Serbia, por edhe për frekuentim më të madh në bregdetin Ohër-Strusë, e vetmja pengesë, sipas kreut të Asociacionit të Hotelierëve, është ndërtimi i autostradës.
“Presim një numër më të madh turistësh nga Serbia me linjën ajrore Beograd-Ohër, por mendoj se autostrada është e vetmja pengesë për frekuentim më të madh. Sapo të bëhet kjo, pritet të rritet për 30 deri në 40 për qind prania e mysafirëve serbë dhe do të rritet edhe numri i mysafirëve vendor, theksoi Bllazheski.