“Proamerikanizmi” ka shkaktuar shpeshherë debat të madh në skenën politike kosovare.
Sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ky nuk është një koncept ku duhet të fshihen horrat e politikës.
“Nuk e kam kuptuar proamerikanizmin si koncept pas të cilit janë fshehur të gjithë horrat që i ka pasur skena politike ndonjëherë, prej të gjitha anëve”, tha Abdixhiku në T7.
“Vjedh një tender atje thuj jam proamerikan, shite një distribucion thuaj jam pro-amerikan, fale një aset thuaj jam pro-amerikan. Nuk jam për këtë pro-amerikanizëm”, shtoi ai.
Abdixhiku e shpjegoi se si e kupton ai këtë koncept.
“Unë po flas për diçka tjetër. Unë po flas për importimin e vlerave amerikane në vend, që është vlera demokratike, të zhvillimit, që është ëndërr amerikane. Dhe po flas për sigurinë, që është bashkëpunimi me SHBA-në”, shtoi ai.
I pari i LDK-së theksoi se e majta dhe e djathta nuk e ndajnë pro-amerikanizmi. Ai ka thënë se që të dyja këto koncepte politike zhvillohen edhe në SHBA.
“E majta dhe e djathta nuk lidhen me pro-amerikanizëm, ato janë koncepte politike që po zhvillohen edhe në Amerikë”, theksoi numri një i LDK-së/ Klankosova.tv