Është shtyrë seanca e sotme e Këshillit Gjyqësor, e cila duhej të zgjidhte pasardhësin e kryetares së shkarkuar Vesna Dameva. Për ditën dhe orën e seancës do të bëhet e ditur më vonë thuhet në njoftimin e sotëm nga Këshilli Gjyqësor. Për momentin nuk dihet arsyeja e vonesës.
Vesna Dameva u shkarkua në mënyrë të papritur të mërkurën e kaluar në një seancë publike të Këshillit Gjyqësor. Arsyeja direkte e shkarkimit të Damevës ishte refuzimi i saj për të vendosur një pikë të re në rend dite dhe gjoja fshehja e letrës nga ambasadorja amerikane Angela Ageler. Shkarkimi i saj u nis nga deputeti Selim Ademi, i cili pas disa orësh tensionesh dhe debatesh mori mbështetjen e 7 prej 13 anëtarëve të Këshillit për ta shkarkuar Damevën nga kryesia. Dameva, e cila pas votimit për shkarkimin e saj akuzoi se “Këshilli është kthyer në anarki”, dhe vendimin e ka vlerësuar si të kundërligjshëm dhe të marrë “për të kënaqur individë të caktuar nga politika”, duke folur për propozimin për shtyrjen e seancës, tha se ajo shpreson sepse në ditët në vijim do të ketë kohë të mjaftueshme për të parë nëse do të sigurohet shumica e nevojshme për të legalizuar, siç tha ajo, shkarkimin e saj të paligjshëm.
Shkarkimi i Damevës dhe ngjarjet në Këshillin Gjyqësor shkaktuan reagime të shumta në opinion dhe ekspertët e vlerësuan si jolegjitim.