“Rrugët Shtetërore” mbi 53 milionë euro fitim nga pikë-pagesat rrugore vitin e kaluar

Mbi 53 milionë euro janë fitimet për vitin 2022 të Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” nga të hyrat e mbledhura nga pikë-pagesat rrugore. Sipas të dhënave të ndërmarrjes, vitin e kaluar në dy korridoret kryesore “8” dhe “10D” kanë kaluar mbi 52 milionë automjete.

Me rastin e 4 Majit, shënimit të Ditës së shërbimit pagesor, ndërmarrja informoi se në vitin 2019 për herë të parë u bë operative edhe pagesa elektronike e taksës rrugore, e cila shënon rritje të vazhdueshme si në shitjen e pajisjeve elektronike ashtu edhe në rimbushjen e tyre.

“Sa i përket komunikacionit të realizuar në dy Koriidoret kryesore – Korridorin 8 dhe Korridorin 10d, në vitin 2022 gjithsej kanë kaluar 52 milionë automjete të të gjitha kategorive. Një komunikacion i tillë NPRRSH-së i solli të hyra rekorde me mbi 53 milion euro, që paraqet rritje të të hyrave të realizuara për 15%. Për vitin aktual 2023, projeksionet janë në rritje dhe presim të hyra prej rreth 56 milion euro”, informuan nga “Rrugët Shtetërore”.

Në vitin 1987, në Maqedoninë e Veriut janë lëshuar në përdorim tre pika-pagesore.

Ndryshe, drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi, së bashku me zëvendësdrejtorin e NPRRSh-së, Bllagojçe Tërpevski, si dhe me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, sot kryen inspektim në punën e shërbimit pagesor të pikës-pagesore “Pertovec”, me çka u shënua 4 maji – Dita e shërbimit pagesor.