Shitësit e rërës dhe disa shtylla betoni, të një objekti të cilat gjenden në rrugën “Tirana” në lagjen “Arbëria” në kryeqytet, janë rrënuar nga Inspektorati i Komunës së Prishtinës.
I pari i kryeqytetit, Përparim Rama, me këtë rast tha se pas më shumë se dy dekadash po lirohet një pronë e uzurpuar e komunës prej gjysmë hektari tokë, e cila do të shndërrohet në park, ku do të mund ta shfrytëzojnë të gjithë banorët e zonës, transmeton klankosova.tv.
Kryeinspektori i kryeqendrës së vendit, Florian Dushi, kërkoi bashkëpunimin edhe të hekurudhës për pjesën tjetër, që në rast se nuk ju duhet toka për shfrytëzim t’ia mundësojnë inspektoratit që t’i rrënojnë ato objekte [depo] e më pas të shtrihet gjelbërimi.
Ndërsa, drejtoresha e parqeve, Donika Çetta, tha se në konsultim me qytetarët do të vendoset se në çka më shumë do të koncentrohen në hapësirën e gjelbër të cilën do ta krijojnë bashkë me ta.
Por janë disa nga shitësit e kamionëve me rërë të cilët janë ankuar se komuna me këtë aksion ka lënë shumë familje pa bukë, meqë ata vareshin nga kjo punë.
Ata thanë se shitjen do ta vazhdojnë në zona tjera të kryeqytetit, ku të gjejnë vend, meqë komuna edhe pse u ka premtuar nuk u ka bërë zgjidhje.