Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që vizitoi edhe pjesën veriore të Kosovës, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.
“Mendojmë që është bërë progres vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha Vahelyi, duke i cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se “të dyja palët nxiten që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar”.
Kosova duhet të vazhdojë reformat
Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe Zgjerim, tha se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ato duhet të zbatohen, duke lavdëruar vendin për pozicionin e saj ndaj zhvillimeve të luftës në Ukrainë dhe saksioneve ndaj Rusisë.
“Nëse ka një mesazh të qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina është se Kosova është shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Diskutuam çështjen e reformave, dhe arritjet në gjashtë vitet e fundit. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme, duhet një regjistër i tyre. Përshëndesim angazhimin e qeverisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve por, për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme. Po ashtu dhuna ndaj mediave e presionet duhet të ndalen”, tha Varhelyi duke dhënë një sërë mesazhesh për Kosovën, gjatë një konference të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, tha se “Kosova mbetet e përkushtuar për të ecur drejt integrimit në Bashkimin Evropian” dhe sipas saj, “po punohet përditë që Kosova t’i afrohet këtij qëllimi”.
“Përkushtimi për ta ofruar vendin tonë në BE mbetet i palëkundur. Aplikimi për anëtarësim është rikonfirmim i kësaj. Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se “Kosova vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë e vlerat qe na bashkojnë”.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me komisionarin Oliver Varhelyi, tha se ata “bashkë, diskutuan për gjetjet në Raportin e Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”.
Varhelyi viziton pjesën veriore të Mitrovicës
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, vizitoi edhe pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe Urën mbi Lumin Ibër që ndanë qytetin në dy pjesë, ai e kaloi në këmbë, urë kjo e cila tash e disa vjet vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e makinave.
Vizita e Komisionarit Varhelyi në pjesën veriore të Mitrovicës dhe takimi me përfaqësuesit e listës Srpska, ndodhi në të njëjtën ditë kur tre kryetar shqiptar të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveҫan, dhanë betimin pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal. Serbët lokal nuk i njohin kryetarët shqiptar të komunave veriore përfshirë edhe atë të Mitrovicës së veriut.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim të tij, tha se “me betimin e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës, është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave”.
“Pushtimi nuk ka qenë kurrë situatë e përhershme në histori, andaj nuk do të jetë as në katër komunat në veri të Kosovës, dhe do të përfundojë së shpejti, megjithatë, populli serb, më shumë se pushtimin e Kurtit, do ta mbajë mend mënyrën e turpshme sesi demokracitë e rreme e kanë dhënë dritën e gjelbër për diçka të tillë”, tha ne reagimin e tij Petar Petkoviç. /DW