Mikel Arteta ka lënë të kuptohet se Arsenali akoma nuk ka mbaruar punë në tregun e transferimeve në këtë afat kalimtar.
Topçinjtë kanë bërë investime të mëdha këtë verë duke shpenzuar më shumë se 200 milionë funte (233 milionë euro) në transferimin e lojtarëve, si Declan Rice (nga West Ham Unitedi), Kai Havertz (nga Chelsea) e Jurrien Timber (nga Ajaxi).
Megjithatë, duket se klubi anglez do të vazhdojë të bëjë biznes në këtë afat kalimtar, pasi trajneri synon ta përforcojë më shumë skuadrën, në mënyrë që të konkurrojë sërish për titullin e Ligës Premier në edicionin e ri.
“Të shohim. Ka edhe shumë kohë në afatin kalimtar dhe shumë pritshmëri në disa prej lojtarëve tanë, po ashtu. Do të shohim si do të zhvillohen gjërat në javët në vijim. Do të qëndrojmë të alarmuar. Ka akoma kohë për të bërë gjëra dhe ka po ashtu kohë edhe për largime. Jam i sigurt se gjërat do të lëvizin”, ka deklaruar Arteta.
Largimi i Granit Xhakës dhe interesimi për futbollistët, si Folarin Balogun e Thomas Partey, mund ta ndryshojë strukturën e skuadrës. Për më shumë, Nicolas Pepe e Cedric Soares mund të mos jenë më pjesë e planeve të klubit. /Telegrafi/