Janë orë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit të talentuar danez Rasmus Hojlund.
Ylli danez ka shkëlqyer sezonin e kaluar në Serie A me fanellën e Atalantës, mund të transferohet në një skuadër të re në këtë afat kalimtar veror.
20-vjeçari ka shënuar 10 gola në 34 ndeshje të luajtura sezonin e kaluar, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane, që janë të gatshme që të investojnë shuma të mëdha për ta bërë të vetin lojtarin.
Manchester United është një nga klubet që ka shfaqur më shumë interes për sulmuesin dhe pritet që këtë javë të ketë një takim mes palëve për të negociuar transferimin e Hojlund në Angli.
Vetë lojtari është i gatshëm për një transferim në ‘Old Traford’, ndërsa Atalanta synon që të arkëtojë rreth 60-70 milionë euro nga shitja e tij.
Klubi italian po pret që gjatë këtyre ditëve të ketë edhe një ofertë për Hojlund nga skuadrat e tjera pasi edhe Inter, PSG, Bayern Munich dhe Real Madrid prej kohësh e kanë ndjekur futbollistin.
Gjithsesi largimi i tij nga Atalanta është mëse i sigurt dhe mbetet të shihet se ku do të përfundojë talenti danez. /Telegrafi/