Pothuajse e gjithë popullsia në botë përjetoi temperatura më të larta nga qershori në gusht si rezultat i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit, sipas një raporti kërkimor të rishikuar të botuar.
Vera e hemisferës veriore e vitit 2023 ka qenë më e nxehta që nga fillimi i regjistrimeve, me valë të nxehta të zgjatura në Amerikën e Veriut dhe Europën Jugore që shkaktuan zjarre katastrofike dhe rritje të shkallës së vdekshmërisë. Korriku ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa temperaturat mesatare të gushtit ishin gjithashtu 1.5 Celsius më të larta se nivelet para-industriale.
Një studim nga ‘Climate Central’, një grup kërkimor me bazë në SHBA, shqyrtoi temperaturat në 180 vende dhe 22 territore dhe zbuloi se 98% e popullsisë së botës ishte e ekspozuar ndaj temperaturave më të larta të shkaktuara të paktën dy herë më shumë nga ndotja e dioksidit të karbonit. Sipas këtij studimi pothuajse askush në Tokë nuk i shpëtoi ndikimit të ngrohjes globale gjatë tre muajve të fundit.
Në çdo vend që u analizua, duke përfshirë hemisferën jugore, ku kjo është koha më e ftohtë e vitit, u regjistruan temperatura që do të ishin të vështira – dhe në disa raste pothuajse të pamundura – pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu.
Studimi vlerëson nëse ngjarjet e nxehtësisë janë bërë më të mundshme si rezultat i ndryshimeve klimatike duke krahasuar temperaturat e vëzhguara me ato të gjeneruara nga modelet që heqin ndikimin e emetimeve të gazeve serrë.
Sipas studimit, deri në 6.2 miliardë njerëz përjetuan të paktën një ditë temperatura mesatare që ishin të paktën pesë herë më të mundshme si rezultat i ndryshimeve klimatike, vlera maksimale në Indeksin e Zhvendosjes Klimatike të “Climate Central”.
Sipas analizimit të valëve të izoluara të të nxehtit, është arritur në përfundimin se ato nuk janë bërë pesë herë më të mundshme por janë bërë pafundësisht më të mundshme sepse nuk do të kishin ndodhur pa ndryshimet klimatike.
/ SCAN