Analistët s’shohin shumë mundësi për përparim nesër në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen të enjten në Bruksel, mes tensionesh të larta që po vazhdojnë që nga muaji maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave me mbështetjen e policisë.

I dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, i tha Zërit të Amerikës se pret nga palët t’i marrin seriozisht detyrimet e dala nga marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fillojnë përmbushjen e tyre.

Analistë shqiptarë e serbë me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës i shohin të pakta mundësitë për një përparim në bisedime, meqë sipas tyre, asnjëri nga udhëheqësit e të dyja vendeve nuk ka dhënë shenja për ndryshim qëndrimesh.

Analisti Rrahman Paçarizi tha se palët duhet t’i përmbushin kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që nga shtensionimi i situatës në veri të Kosovës e deri te zbatimi i marrëveshjeve.

“Këtë takim duhet ta shohin si mundësi dhe jo si presion dhe duke parë si mundësi mendoj se do çlirohen nga ngarkesat me të cilat e kanë ngarkuar veten dhe t’i implementojnë ato për të cilat janë zotuar, sepse vetëm në këtë mënyrë do të tregohen partner të besueshëm para bashkësisë ndërkombëtare”, tha Paçarizi.

Milica Andriq Rakiq nga organizata “Nisma e re sociale” në Mitrovicën e Veriut tha se duhet një qasje e re e udhëheqësve të të dyja vendeve për të pasur përparim.

“Të dy udhëheqësit duhet të ndalojnë përdorimin e retorikës, të flasin për kompromis në fjalimin e tyre publik, të pohojnë se ka një marrëveshje, të ndalojnë thjesht të lëndojnë palën tjetër me ato kundër fjalime që mbizotërojnë. Sigurisht që duhet të ketë një dialog të vërtetë, sepse tani ajo që po shohim është se ata në thelb po kërkojnë vetëm një mënyrë për të ngadalësuar procesin dhe për ngadalësim akuzojnë njëri tjetrin”, tha Andriq Rakiq.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës. Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Ajo pret që Bashkimi Evropian të heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës të cilat u vendosën në qershor për shkak të situatës në veri.

Paçarizi thotë se kryeministri i Kosovës duhet të ndryshojë qasjen e tij në dialog.

“Duhet të dëshmojë partneritet dhe të dëshmohet si partner i qëndrueshëm me perëndimin natyrisht duke mbrojtur interesat e Kosovës, mirëpo bashkëpunimi me perëndimin nuk është në kundërshtim me interesat e Kosovës, përkundrazi”, tha ai.

Analistët thonë se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë me trysni ndaj palëve për të nxitur përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

“Por thjesht nuk shoh se çfarë tjetër mund ta bëjë atë të funksionojë, dhe patjetër duhet të ketë trysni, por ndoshta duhet të rritet, për të bërë trysni në disa fusha të tjera. Disa sanksione mund të thellohen, ndaj duhet gjetur aty një drejtpeshim të mirë në mes të ndëshkimit të udhëheqësve dhe qytetarëve dhe kjo është një sfidë serioze për faktorin ndërkombëtarë”, tha Milica Andriq Rakiq.

“Presioni sigurisht se bën punë mirëpo Kosova nuk duhet ta çojë punën deri te presioni, Kosova duhet të sillet si partner dhe jo si një palë ashtu siç sillet Serbia në raport me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Do të thotë Kosova e ka një partneritet që është ndërtuar me shumë mund edhe me SHBA-të edhe me vendet kryesore të Bashkimit Evropian, prandaj pozicioni i Kosovës në negociata gjithmonë ka qenë më i favorshëm, ka qenë pozicion i aleatit ndërkohë që tash jemi shndërruar në një palë të barabartë me Serbinë, një barazi që e kemi kërkuar por jo në këtë mënyrë sepse më nuk jemi aleat me perëndimin”, tha Paçarizi.

Diplomatët ndërkombëtar u kanë kërkuar palëve të shmangin çfarëdo veprimesh që mund të përshkallëzojnë situatën në veri dhe të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për përparimin drejt përmbushjes së aspiratave për integrimet evropiane. /VOA

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.