Osmani-Lipavski: Na nevojiten përfitime të prekshme nga BE-ja për qytetarët tanë

– Miratim sa më të shpejtë të ndryshimeve kushtetuese, si mundësi e vetme për të vazhduar rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, ndërsa rajoni i Ballkanit Perëndimor sa më parë të jetë pjesë e familjes së BE-së, ka porositur shefi i diplomacisë çeke, Jan Lipavski në takimin në Pragë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Sip kumtoi MPJ-ja, në takim u shpreh kënaqësi e ndërsjellë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve gjatë tri dekadave të fundit, me theks të veçantë në mbështetjen e pahamendshme dhe të zëshme çeke për procesin e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

“E përshëndesim thirrjen e Çekisë drejtuar institucioneve të BE-së për të prezantuar agjendë të qartë për integrim gradual dhe të përshpejtuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, në drejtim të sigurimit të përfitimeve të prekshme për qytetarët tanë”, theksoi Osmani.

U shkëmbyen mendime edhe për çështjet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale, si dhe për bashkëpunimin dhe sfidat në kuadër të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, qëllimi i të cilit është ruajtja e sigurisë së kontinentit europian.