Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi sot marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, për aktivitetet operacionale të FRONTEX në Shqipwri. Në emër të Bashkimit Europian firmosën Johannes Luchner, Zv.drejtor i Përgjithshëm për Çështjet e Brendshme në Komisionin Europian dhe Álvaro Renedo Zalba, Ambasador i Spanjës në Tiranë, vendi i të cilit mban Presidencën e Këshillit të BE.
Balla e konsideroi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të përmirësuar, si dëshmia e radhës e vullnetit të padiskutueshëm për të kontribuar në sigurinë e përbashkët të hapësirës së zgjeruar evropiane.
“Ambicia jonë nuk është të jemi thjesht përfitues nga mekanizmat komunitarë për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së, por të marrim rolin e një vendi kontribuues për sigurinë në rajon e më gjerë”, deklaroi ministri i Brendshëm, raporton Euronews.al.
Ambasadori spanjoll tha se marrëveshja do të ndihmojë në fuqizimin e bashkëpunimit me të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili është një prioritet për BE-në dhe në veçanti, sipas tij për Presidencën spanjolle të BE-së
“Kufij të përbashkët nënkuptojnë edhe përgjegjësi të përbashkëta. Kjo është filozofi thelbësore e integrimit në BE. Në të njëjtën kohë, kufijtë e përbashkët dhe përgjegjësitë e përbashkëta, ofrojnë gjithashtu mundësi të gjera për ndërveprim konstruktiv, e nëse ne kemi një qasje koordinuese dhe bashkëpunuese, dhe ndajmë praktikat më të mira, mësojmë prej njëri-tjetrit. Një mjet veçanërisht i fuqishëm në menaxhimin e kufirit konsiston në përpjekjet e përbashkëta dhe të harmonizuara prej të gjithë aktorëve, BE, agjencitë e saj, vendet anëtare, por gjithashtu edhe partnerët e saj të privilegjuar, të tillë si Shqipëria, një vend kandidat që në qershor 2014, procesi i integrimit të së cilës ka një natyrë strategjike, jo vetëm për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, por edhe për Europën si një e tërë”, nënvizoi ambasadori i Spanjës në Tiranë.
Zv.drejtori i DG Home tha se operacionet e përbashkëta që vijojnë në Shqipëri që prej 2019 kanë sjellë rezultate vërtet shumë pozitive, sa i përket uljes së migracionit të parregullt e krimit ndërkufitar. Zyrtari i lartë i Komisionit Europian deklaroi se nënshkrimi i marrëveshje është një dëshmi tjetër e fortë e përafrimit gjithnjë e më afër të Shqipërisë me BE-në.
“Migracioni është vërtetë një sfidë, por një sfidë ama, e cila trajtohet në mënyrën më të mundshme duke bashkëpunuar, duke punuar së bashku, duke vënë në zbatim një model të duhur të menaxhimit të kufirit, i cili bazohet tek siguria, tek dinjiteti, tek fakti që ne të gjithë duhet të përpiqemi, që të japim mbrojtjen e duhur atyre që e meritojnë dhe që kanë nevojë për të”, tha z. Luchner.
Ministri Balla tha se për Shqipërinë nuk ka plan B, por vetëm plani A, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. E bashkëpunimi me FRONTEX në këto 4 vite e në vijim ka në thelb edhe transformimin e Policisë Kufitare në një partnere të denjë të Policive partnere europiane.
“Me nivelin e bashkëpunimit të arritur me FRONTEX dhe EUROPOL, Policia e Shtetit ka arritur vërtet të dëshmojë se mund të mbajë barrën e një përgjegjësie të lartë, të denjë për një vend kandidat për në familjen e madhe evropiane. Po ashtu jemi të sigurt se përmes kësaj marrëveshjeje, do të zhvillojmë cilësisht më tej kapacitetet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit ndërkufitar, por mbi të gjitha, do të rrisim nivelin e besimit reciprok mes Policisë Shqiptare dhe strukturave homologe evropiane”, theksoi Balla.
“Ekspertiza e oficerëve të FRONTEX merr vlerë të shumëfishtë, pasi ata posedojnë njëherësh përvojën dhe mjetet për të kuptuar një dokument të falsifikuar, apo një tentativë për trafik njerëzor. Marrëveshja e sotme e përmirësuar me FRONTEX hedh bazat e një bashkëpunimi edhe më cilësor edhe më të plotë me strukturat policore dhe në besojmë se përmes këtij operacioni të përbashkët, do të mund të adresojmë shumë herë më mirë çështjet e migracionit të parregullt drejt Shqipërisë”, u shpreh ministri shqiptar i Brendshëm.