Është shuar pas disa orësh zjarri që shpërtheu në një ndërtesë në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë.
Zjarri ishte i përmasave të mëdha duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, në disa apartamente dhe në fasadën e pallatit, ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Administratori i pallatit ndërkohë është shoqëruar në polici për t’u pyetur lidhur me rrethanat e ngjarjes ndërsa pritet një deklaratë e drejtorit të zjarrfikësve në Tiranë për të dhënë më shumë detaje.
Në një deklaratë të dhënë për mediat më herët, drejtori i zjarrfikësve, Shkëlqim Goxhaj, konfirmoi se nuk ka banorë të lënduar, ndërsa tha se është ende e paqartë nëse zjarri ka nisur nga kati i dytë i ndërtesës apo nga pjesa e kateve të sipërme.
Ai tha se rasti ishte i rrallë dhe ishte fasada ajo që shpërndau me shpejtësi zjarrin në disa apartamente.
“Në këto momente nuk mund të flasim për shkakun e zjarrit dhe rezultatet përfundimtare. Do jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe deri sa të sigurohemi që nuk kemi humbje jete qytetarësh. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara. Të dëmtuara janë vetëm banesat që janë hapur dritaret”.
“Është dëmtuar fasada e objektit. Zjarret në pallate në Tiranë ndodhin në një banesë dhe në 0.5% të rasteve kur zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetër. Ky rast ishte i rrallë dhe ka bërë që këtu të mblidhen të gjithë punonjësit e zjarrfikësit, Tiranës, Vorës dhe Kamzës. Është dashur një kohë e gjatë për të vënë në kontroll. Fasada e objektit e ka përhapur zjarrin. Nuk kemi zjarrfikës të dëmtuar. Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e sipërme, por kjo mbetet për tu parë sesi është përhapur zjarri”, deklaroi Goxhaj më herët./Top Channel/
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.