Takim Osmani – Eskobar: Mbështetja amerikane për agjendën evropiane të Maqedonisë së Veriut

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, realizoi takim me zëvendësndihmës sekretarin e shtetit për Evropën dhe Euroazinë dhe përfaqësuesin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në të cilin, siç informojnë nga MPJ, në qendër të bisedës ishin zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, si dhe nevoja për përshpejtimin e procesit integrues evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që paraqet çështje të rëndësishme të sigurisë.

Osmani, thuhet në kumtesën e kabinetit të tij, falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pahamendshme amerikane në rrugën tonë drejt BE-së, si dhe për mbështetjen për zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit.

Në takim u diskutua edhe për angazhimin mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit në kuadër të Dialogut Strategjik.

“Aktivitetet në kuadër të dialogut strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së po zhvillohen me dinamikën e parashikuar dhe tashmë janë të dukshme rezultatet e zbatimit të tyre. Marrëdhëniet dypalëshe janë ngritur në një nivel më të lartë, partneriteti strategjik është forcuar, si dhe është shënuar progres në agjendën e reformave të brendshme dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në kumtesë.

Bashkëbiseduesit rikonfirmuan mbështetjen për Ukrainën në ballafaqimin me sfidat nga agresioni ushtarak rus, madje theksuan aleancën e fuqishme në kuadër të NATO-s. Njëherit, na përgëzuan për kryesimin tonë me OSBE-në, SHBA-në – Kartën e Adriatikut dhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që është tregues i rolit të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në skenën ndërkombëtare, veçanërisht në kontekst të sfidave të sigurisë globale.