Ministri i Pushtetit Lokal, Risto Penov në një intervistë të dhënë për indeks.mk, ditë më parë ka thënë se propaganda që po përhap VMRO-ja së fundmi, po arrin që t’i defokusojë qytetarët nga problemet reale dhe ka bërë që ata të mos ndjejnë rëndësinë e proceseve nëpër të cilët do të duhet të kalojë vendi.
Sipas Penovit, retorika e opozitës se “shqiptarët na e morën shtetin” ka bërë që të akuzohen njerëz për probleme vetëm për shkak të etnisë të cilës i përkasin.
Si shembull konkret, Penov e mori problemin me tekstet shkollore. Sipas tij, te qytetarët ekziston bindje se Shaqiri është fajtor për këtë vetëm pse është shqiptar, por Penov është i bindur se kjo nuk është e vërtetë dhe se problemi me tekstet shkollore nuk është për shkak të Jeton Shaqirit, por është sipas tij, problem shtetëror për të cilin të gjithë së bashku duhet të kërkojmë zgjidhje.
“Ato teza kanë marrë hov për momentin, ndezin debat dhe minojnë shtetin dhe themelet e tij, sepse problemi me tekstet nuk është konkretisht problem i një ministri që ka një vit ministër, është problem shtetëror, edhe pse në asnjë vend në botë nuk ka tekste shkollore pa pagesë, është populizëm i pastër. Por ne si Qeveri kemi rënë në atë lojë dhe kemi vendosur ta vazhdojmë të njëjtën”, deklaroi Penov.
Kujtojmë për herë të parë masa tekste shkollore pa pagesë është vënë në funksion kur në pushtet ka qenë, tashmë opozitarja, VMRO-DPMNE./indeks.mk/