Reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Gostivarit, të nderuar mediume.
Dyshimet e krijuara në opinion që Pushteti Lokal në Gostivar është zhytyr në keqpërdorime dhe kriminalitet të madh, po konfirmohen edhe nga institucione prestigjioze ndërkombëtare.
Në një analizë të publikuar nga USAID në bashkëpunim me Qendrën për komunikime qytetare, dhe Qendra Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, mbi furnizimet publike në komunën e Gostivarit, konstatohet që shumica e furnizimeve publike bëhet vetëm me një ofertues, gjë që forcon dyshimet për tendere të kurdisura dhe të paracaktuara për njerëzit e Arben Taravarit.
Analiza tregon që shpesh ndodh që komuna e Gostivarit anulon prokurimet publike dhe nuk publikohen në kohë informacionet për lidhjet e kontratave me operatorët. Konstatimi që shpesh anulohen procedurat për furnizime publike, shton dyshimet që edhe atëherë kur ndonjë kompani jashtë rrethit të Arben Taravarit fiton tendere, ato anulohen sepse dikush tjetër është dashur që t’i merr.
Komuna e Gostivarit nën udhëheqjen e Arben Taravarit nuk ka krijuar një sistem për ndjekjen e marrëveshjeve tanimë të nënshkruara me operatorët ekonomik. Kjo lë hapësirë dyshimi që mjetet financiare jepen por puna nuk realizohet.
Në studim konstatohet që në vitin 2020 u hap tender prej 2 milion euro për sanim dhe rikonstruim të rrugëve lokale. Në vitin 2021 u hap një tender tjetër tani me vlerë 1.8 milion euro dhe vitin 2023, për të njejtin qëllim komuna e Gostivarit hapi tender me vlerë prej 960 mijë eurosh. Pra nga viti 2020 dhe deri në vitin 2023 ka patur tendere me vlerë 4.8 milion euro për rekonstrumin e rrugëve.
Është legjitime që qytetarët e Gostivarit të pyesin se ku shkuan 5 milion euro për mbushje të gropave, dhe çka është më skandaloze sanimi dhe rikonstruim të rrugëve lokale nuk ndodhi!
Gjë që nënkupton që hapësira për keqpërdorime, korrupsion dhe klientalizëm, jo që ekzistion, por që prej vitesh në komunën e Gostivarit funksionon, ashtu siç funksionon mafia urbane, uzurpimi dhe shitja e pronës publike, politizimi i institucioneve, nepotizmi dhe keqpërdorim masiv i Pushtetit Lokal në Gostivar.
Ftojmë institucionet kompetente të mos mbyllin sytë para keqpërdorimeve masive në komunën e Gostivarit, por të nisin hetimet dhe përgjegjësit e krimit të japin llogari.
Ju faleminderit.