“Nuk do të kisha besuar sepse nuk shoh logjikë, ama kur këtë e thonë më shumë opinionistë, nuk mund të thuhet se është krejtësisht pa gjë.
“Seç e ka një mosdurim Kryeministri Kurti për secilin lider politik të UÇK-së. E turpshme. E mjerë. E rrezikshme.”, shkroi një opozitare e Kosovës, por që nuk ishte e vetme me këtë lloj qëndrimi. Ka apo s’ka të vërtetë në këto që dikush po i shikon si tendencë të pushtetarëve të rinj të Kosovës? Involvimi edhe garën zgjedhore në Maqedoni, a ka pikërisht këtë qëllim?
Nuk mund të besohet se ka subjekte në Kosovë të cilat duan ta minimizojnë rolin e UÇK-së e as të figurave të saj, sepse nuk ka logjikë pse ta bëjnë këtë për ata që nisën një luftë të pabarabartë për ta çliruar Kosovën. Me mijëra edhe u flijuan dhe këtë nuk ke si ta mohosh e të mos e respektosh këtë fakt.
Po ashtu, edhe më e palogjikshme është që nga terreni i Kosovës, këtë mohim ta zgjerojnë edhe te figurat e UÇK-së edhe në Maqedoni. Cili do të ishte qëllimi i kësaj? Sepse, nuk mund të mos pyetesh ashtu si një analist i Shqipërisë, vallë qëllimi është devalvimi i luftës së UÇK-së për gjithë të arriturat, të cilat nuk janë të pakta: në Kosovë u arrit pavarësia, në Maqedoni u ngrit statusi i shqiptarëve si kurrë më parë.
A është ajo tendenca majtiste(kur e them këtë, e kam parasysh filozofinë e revolucioneve dhe përmbysjeve të mëdha shoqërore, pas të cilave shpesh është instaluar fryma e mohimit të gjithçkaje përpara që kanë përfunduar edhe në diktatura!) që duan të tregojnë se historia fillon me ta?! Kjo s’do të ishte asgjë e re. Nuk kanë kaluar shumë dekada, dhe kemi qenë dëshmitarë të kultit të individit, që nga Stalini e gjer te Tito, “biri më i madh i kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, dhe Enveri, “figura më e ndritshme historike shqiptare”. Do të ishte anakronike që në demokracinë pluraliste të krijohen kulte të këtilla individi…
Mos vallë anëtarësia dhe votuesit e LVV-së kanë pjekur vetëdijen se historia e vërtetë nis me LVV-në dhe duhet të fshihet gjithçka që është arritur më parë dhe se lideri i saj, është i vetëmjaftueshëm për t’i përmbushur të gjitha boshllëqet e historisë kombëtare?!
(Fragment nga kolumna “Rikthimi i koncepteve që i ka shkelur koha!”, Koha 13 prill)