Ali Ahmeti pret delegacionin nga Ukraina: Solidarizohemi me luftën e popullit ukrainas për liri

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e Partisë, një delegacion funksionarësh e personalitetesh publike nga Ukraina me të cilët ka biseduar për pasojat e agresionit rus dhe mënyrën e vendosjes së paqes.

Mysafirët, Tetjana Shçerbak, zëvendës–guvernatore e rajonit të Kievit, Violetta Dvornikova nga Këshilli i qytetit të Irpinit dhe Trohim Ivanov, zëvendës–kryebashkiak i qytetit të Vishgorodit, e informuan z.Ahmeti për gjendjen reale në shtetin e tyre, i cili dita-ditës është duke zgjeruar zonat e çliruara. Ata thanë se qëllimi i udhëtimit të tyre në Ballkanin Perëndimor është rrëfimi i së vërtetës për Ukrainën, e cila shpeshherë është shtrembëruar si rezultat i veprimeve toksike të shërbimeve sekrete dhe propagandistike të Rusisë.

“Maqedonia e Veriut është një vend i vogël, por gjithmonë ka për të qenë në mbështetje të kauzës suaj të drejtë. Personalisht,përherë kam përkrahur dhe përkrahë popujt të cilët luftojnë për lirinë e tyre. Me Ukrainën, Rusia është perandori, ndërsa pa të është vetëm Rusi”, tha z.Ahmeti duke i njohur të pranishmit me përvojat pozitive të Maqedonisë së Veriut.

Z.Ahmeti i siguroi mysafirët se populli ukrainas në fund do ngadhnjejë, njëjtë sikurse shqiptarët që fituan lirinë e tyre.

Gjatë bashkëbisedimit u tha se “më nuk ka probleme të huaja dhe vende të largëta, për shkak se në Ukrainë po zhvillohet luftë mes vlerave evropiane dhe regjimit diktatorial nga Kremlini”.

Rrjedhimisht, delegacioni nga Ukraina ishte mysafir itribunës së hapur të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), të titulluar “Rrëfime nga Ukraina”, ku sollën dëshmi për atë se çfarë po ndodhë aktualisht në atdheun e tyre, i cili nga ky fillim vit është në shënjestër të agresionit rus

Para qëndrimit në Tetovë, Karvani për të vërtetën eUkrainës ka qëndruar në Vojvodinë, Bosnjë e Hercegovinë si dhe në Mal të Zi. Nismëtar i kësaj ndërmarrjeje është politikani i njohur opozitar serb dhe veprimtar për të drejtat e njeriut, Nenad Çanak.