Mund të shpresohet, Shqipëria etnike pashmangshëm do të bëhet

Shkruan: Rexhep Qosja

HISTORIA DHE ATDHETARIA PËRZGJODHËN
ISMAIL QEMALIN
Gëzuar 28 Nëntori.

Sa shumë i rëndësishëm, sa shumë i merituar, sa shumë i madh ai u bë me veprën më të madhe historike: me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Për t’u bërë çka do të bëhet në historinë e popullit të vet e kishin përgatitur atdhetaria dhe historia. Ai ishte i urtë dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërmadh, i guximshëm dhe i matur, i parimshëm e largpamës. Gjykimi i qartë, sjellja e avashtë dhe gojëtaria përshtypjebërëse e bënin sipëror dhe magjepsës personalitetin e tij. Me veprimin e tij të njësuar ai ishte zotëruesi i situatave dhe zotëria i kohës.

Në sajë të virtyteve të tilla ai do të bëhet prijësi i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në çastet më vendimtare të saj.

Mendja e qartë, përvoja e madhe politike dhe vendosmëria burrërore do t’i bëjnë të mundshme të përzgjedhë ditën dhe të përzgjedhë vendin për shpalljen e veprës së tij madhore: për shpalljen e pavarësisë së Shqiprisë.

Dhe kjo ditë ishte 28 Nëntori 1912.

Dhe ky vend ishte Vlora heroike.

Në këtë ditë dhe në këtë vend ai mblodhi delegatët prej të gjitha krahinave shqiptare, të cilët e shpallën Shqipërinë “më vehte, të lirë, dhe të mosvarme” në të gjitha trojet shqiptare. Por Konferenca e ambasadorëve në Londër në vitin 1913 ia shkoqi Shqipërisë së 28 nëntorit 1912 më shumë se gjysmëm e trojeve dhe më shumë se gjysmën e popullsisë shqiptare. Fqinjët ballkanikë dhe fuqitë e mëdha, megjithatë, s’arritën t’ia marrin popullit shqiptar idenë e shqiptarëve të bashkuar e cila historinë shqiptare e ka lëvizur gjatë gjithë shekullit XX dhe po vazhdon ta lëvizë edhe sot, në shekullin XXI.

Fryti i kësaj ideje që e ka lëvizur historinë shqiptare do të jetë Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila me luftën e saj heroike dhe me përkrahjen e SHBA-ve e të Forcave të NATO-s, më në fund, do ta çlirojë Kosovën prej pushtimit të Serbisë e të Jugosllavisë.

Pasardhësit e Ismail Qemalit, të Luigj Gurakuqit, të Isa Boletinit, të Hasan Prishtinës e të delegatëve të tjerë të Kuvendit të Vlorës kanë sot dy shtete “më vehte, të lira e të mosvarme” – Shqipërinë dhe Kosovën. Ideja e tyre shtetërore kombëtare kështu është bërë pjesërisht. Por në qoftë se historia u ka dhënë të drejtë dhe ideja e tyre kombëtare – Shqipëria etnike sot është bërë vetëm pjesërisht, mund të shpresohet se ajo pashmangshëm do të bëhet plotësisht.

Ismail Qemali në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, që themeloi Shqipërinë shtetërore me kufijt që ajo ka sot; si Profeti i madh i Shqipërisë etnike, çfarë do të jetë ajo nesër; si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si Njeriu, që dhuntinë e tij politike e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të popullit të vet – domethënë mbetet i shënuar si Personaliteti, që ka kryer mision prijës e parathënës në këtë histori. Është e kuptueshme pse pikërisht populli, njerëzit e thjeshtë me të cilët është përnjësuar ai, e kanë vlerësuar aq bukur këtë mision kur e kanë kënduar në vargjet

O ti je Smail Qemali

Pas teje vjen historia.