Ka përfunduar para afatit të përcaktuar ndërtimi i objektit të poliklinikës në Saraj. Tani pason faza e dytë e pranimit teknik të objektit me çka qytetarët edhe zyrtarisht do t’i marrin shërbimet shëndetësore të nevojshme nga kjo poliklinikë.
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, ka njoftuar se tashmë ka mbetur vetëm lidhja e objektit me rrugën kryesore sepse siç njofton, kjo nuk ka qenë e përfshirë në projektin themelor.
“Projekti ndërtues u realizua një vit para afatit kohor dhe tashmë është para pranimit teknik sipas projektit themelor. Jemi angazhuar që Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, të firmosë aneks të kontratës për ta lidhur objektin me rrugën kryesore, pasi që nuk ka qenë e përfshirë në projektin themelor, ndërsa në fazën e dytë, Ministria e Shëndetësisë do të vijojë me prokurim publik për furnizim me mjete mjekësore dhe vënie në funksion”, informoi zëvendëskryeministri i parë.
Aneksi është i nevojshëm për shkak të mungesës së lidhjes së objektit me rrugën kryesore, ndërsa lidhja e objektit me rrugën nënkupton – kalim të ambulancës, kalim të pacientëve dhe parkingjeve, pasiqë objekti nuk mund të lëshohet në funksion nëse nuk ka zgjidhje të qarkullimit në oborr, derisa objekti që parashihet të ndërtohet me Kontratën e ndërtimit është i përfunduar.
Se Klinika “Saraj” ka përfunduar para kohe kishte thënë edhe i pari i shëndetësisë, Bekim Sali.
Ai në muajin maj të këtij viti kishte deklaruar se është paraparë që punimet të kryhen në vitin 2023, megjithatë, sipas të parit të shëndetësisë, realizuesi ka punuar intensivisht dhe e ka mbaruar para kohe.
“ Poliklinika në Saraj është përfunduar nga pjesa e ndërtimit sipas planit ajo klinikë duhet të përfundojë nga viti 2023 , megjithatë realizuesi ka punuar intensivisht dhe e ka mbaruar para kohe, një vit para kohe, 14 muaj para kalimit të afatit në marrëveshje. Kjo nënkupton se në fazën e dytë, ne si Ministri e Shëndetësisë jemi kompetent që të hapim prokurim publik për furnizim me mjete mjekësore”, kishte deklaruar Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali.