Kupa e Botës, bota në alarm për “gripin e devesë”, më vdekjeprurës se COVID

“Gripi i devesë”, një infeksion respirator i shkaktuar nga virusi i Sindromës së frymëmarrjes në Lindjen e Mesme (MERS) ka vënë në alarm autoritetet shëndetësore në mbarë botën.

The Sun raportoi një shënim informues të dërguar nga agjencia shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ku thuhej, “se ekipet e shëndetit publik duhet të jenë veçanërisht vigjilentë ndaj atyre që  kthehen nga Kupa e Botës në Katar, pasi ekziston rreziku që të jenë infektuar.

Në Katar këtë vit, tashmë janë raportuar dy raste, të cilat të dyja ishin ekspozuar ndaj deveve. Sipas mediave të huaja, midis prillit 2012 dhe tetorit 2022, ka pasur 2,600 raste në 12 vende. Nga këto raste, 935 njerëz vdiqën – 36 për qind, raportoi Mirror.

Para fillimit të turneut të Kupës së Botës, tifozët ishin paralajmëruar të qëndronin larg kafshëve nga frika e marrjes së sëmundjes.

MERS u identifikua për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012 dhe konsiderohet më vdekjeprurës se COVID-19. Më shumë se një e treta e pacientëve të tij thuhet se vdesin, krahasuar me më pak se 4% të pacientëve me Covid.

Pacientët mund të infektohen pas kontaktit të ngushtë me devetë ose duke konsumuar produkte me prejardhje nga deveja , p.sh. qumësht deveje i papasterizuar.

/Gazeta Express