Kryeministri britanik shpreh keqardhjen për vdekjen e emigrantëve

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, reagoi për përmbytjen e varkës me emigrantë në Kanalin Anglez.

“Jam i sigurt që e gjithë Dhoma (e parlamentit) ndan keqardhjen e time për përmbytjen e një varke të vogël në Kanal, në orë të para të mëngjesit të sotëm dhe për humbjen tragjike të jetëve njerëzore”.

“Zemrat tona janë me ata që preken nga kjo ngjarje dhe nderimet tona me ata që janë përfshirë në operacionin e gjerë të shpëtimit”, tha ai.

Fjalët e kryeministrit britanik u pasuan nga reagimi i liderit të laburistëve, Keir Starmer.

“Kjo është një kujtesë se bandat kriminale që kontrollojnë ato rrugë venë në rrezik jetët e të dëshpëruarve dhe përfitojnë nga fatkeqësia e tyre. Ata duhet të shkatërrohen dhe të çohen para drejtësisë”, tha Starmer.

Qeveria britanike konfirmoi vdekjen e 4 emigrantëve, ndërsa të paktën 43 persona të tjerë u shpëtuan nga ekipet e kërkim-shpëtimit që vijojnë operacionin./tvklan.al