“Gjatë muajve në vijim, mijëra shqiptarë do të rikthehen në shtëpi dhe do të vazhdojmë me fluturime ditore deri sa të gjithë shqiptarët të jenë deportuar”, deklaroi kryeministri britanik, Rishi Sunak.
Sunak njoftoi një qasje të re, me të ashpër ndaj shtetasve shqiptarë që kalojnë ilegalisht kanalin e La Manshit, dhe një marrëveshje me qeverinë shqiptare që parashikon ndër të tjera ngritjen e zyrave britanike të kontrollit në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Për herë të parë në histori do të ngremë zyra të kontrollit kufitar në aeroportin e Tiranës, që do të ndihmojnë në parandalimin e grupeve të organizuara dhe ardhjen e emigrantëve të paligjshëm këtu. Së dyti do t’i paraqesim udhëzime të reja punonjësve tanë, për t’ia bërë të qartë se Shqipëria është një vend i sigurt. Së treti, do të rrisim pragun e atyre që konsiderohen viktima të skllavërisë moderne, në mënyrë që ky ligj të mos shfrytëzohet më”, theksoi Sunak.
Një ligj i ri që do të prezantohet në fillim të vitit të ardhshëm do të parashikojë kthimin e menjëhershëm në vendin e origjinës të shqiptarëve që hyjnë ilegalisht, pa pasur mundësi për pritjen e shqyrtimit të kërkesës për azil.
“Nëse hyn në Britaninë e Madhe ilegalisht nuk do të jesh në gjendje të qëndrosh këtu. Do të ndalohesh dhe do të kthehesh me shpejtësi në vendin e origjinës ose në një vend të sigurt ku do të shqyrtohet kërkesa për azil”, shtoi kryeministri britanik.
Një njësi e re e dedikuar, me 400 specialistë do të merret posaçërisht me rastet emigrantëve shqiptarë, për të cilët siç tha Sunak, do të ketë fluturime javore për deportime masive.
Çështja e emigrantëve që vijnë me gomone e varka të vogla në Mbretërinë e Bashkuar, është kthyer në një problem të madh politik për qeverinë konservatore veçanërisht në zonët e banuara nga klasat punëtore, ku emigrantët po fajësohen se po e bëjnë më të vështirë gjetjen e vendeve të punës./A2/