Më 22 dhjetor nis gjykimi për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Më 22 dhjetor do të nis seanca e parë e gjykimit për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.

Seanca fillestare e shqyrtimit ndaj dy të dyshuarve Ekrem Rexhepi dhe Shkëlqim Kameri, nis nga ora 13:00.

Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësja e Gjykatës Themelore e Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Lidhur me rastin Gjykata Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, dy të moshës madhore e tre të miturve.

Vajza 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar për disa orë radhazi më 27 gusht të vitit 2022.

Kjo ngjarje që tronditi Kosovën e më gjerë kishte nisur në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur.

Lidhur me rastin pesë persona janë në paraburgim.

Ditë më parë, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ditë më parë njoftoi se pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: “E.R. dhe Sh.K., (madhorë), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11 vjeçares, të cilët gjenden në paraburgim”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka njoftuar prokuroria.

“Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”,  nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Dyshohej që e mitura ishte dhunuar e trafikuar edhe në qershor të këtij viti dhe për këtë rast.

E për këtë organi i akuzës deklaroi se “është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”/Klankosova.tv.