Dënohet me 2 vite burg kryebashkiaku i Stambollit

Një gjykatë në Turqi ka dënuar me 2 vjet e gjysmë burg kryebashiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu për fyerje të zyrtarëve publikë gjatë një fjalimi të tij. Kryebashkiaku Imamoglu u akuzua pasi tha se ata që anuluan zgjedhjet lokale në vitin 2019 ishin “budallenj”.

52-vjeçari, Imamoglu mundi një kandidat nga AK, partia e presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan për të marrë postin e bashkisë së Stambollit. Dënimi mund ta skualifikojë atë nga mbajtja e posteve publike ose kandidimi në zgjedhjet paralamentare ose presidenciale.

Imamoglu, nga Partia Sekulare Republikane Popullore, shihet si një nga kandidatët më të fortë të opozitës për të përballur Erdoganin në zgjedhjet që duhet të mbahen deri në Qershorin e vitit të ardhshëm.

Vendimi i së mërkurës do të duhet të konfirmohet ose jo nga një Gjykatë Apeli, por nëse ai mbështetet atëherë do të thotë se Imamoglu do të jetë jashtë kandidimit në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit të ardhshëm.

Mbështetësit e kryebashkiakut u mblodhën jashtë ndërtesave të Këshillit të Stambollit pasi ai u bëri thirrje njerëzve të mblidhen dhe të tregojnë mbështetjen e tyre, duke thirrur “dorëheqja e qeverisë” dhe “e vërteta, ligji dhe drejtësia”.

Imamoglu pritet të apelojë kundër dënimit dhe do të vazhdojë në detyrë, por mundësia që ai mund të skualifikohet nga kandidimi në zgjedhjet presidenciale do ta bëjë më të vështirë për partitë opozitare turke që të zgjedhin një kandidat për të përballur Erdoganin.

Sondazhet tregojnë se kryetari i bashkisë së Stambollit është në mesin e disa liderëve të opozitës që mund të mposhtin Presidentin Erdogan në një garë kokë më kokë./tvklan.al