Valmir Aziri: Teatri Muzikor në Tetovë, lajm i vitit për kulturën shqiptare!

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Kulturës, ka shqyrtuar dhe miratuar informacionin për të themeluar institucion të ri kombëtar, Teatri Muzikor në Tetovë. Veprimtaria kryesore e këtij institucioni ,do të jetë interpretimi, promovimi dhe afirmimi i muzikës klasike, xhaz, vokale dhe vokalo-instrumentale shqiptare, dhe objektivat e programit do të kenë akses të barabartë për të gjithë qytetarët.

Valmir Aziri – sekretar shtetëror në ministrinë e Kulturës e ka cilësuar këtë vendim si “lajm të vitit për kulturën shqiptare”.

“Lajm i vitit për kulturën shqiptare! Qeveria e RMV, miratoi informacionin për krijimin e Teatrit Muzikor! Institucion ky që rrumbullakon institucionalizimin e kulturës shqiptare në RMV, falënderim i veçantë deri tek zëvendëskryeministri i parë, z. Artan Grubi për kontributin kryesor në këtë proces, falënderues ndaj të gjithë atyre që ndihmuan për krijimin e këtij institucioni, ministrja e kulturës Bisera Kostadinova – Stojchevska për angazhimin e saj në këtë proces shumë domethënës për kulturën në RMV”, është shprehur Aziri në nje ptrononcim të tij në rrjetin e Facebkut.

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë Artan Grubi dje deklaroi se ky vendim është vazhdimësi e synimeve për të ngritur sa më lartë vlerat kulturore.

“Vazhdojmë të institucionalizojmë vlerat. Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Teatrit Muzikor në Tetovë, një tjetër institucion i kulturës pas Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullorе Shqiptare, që do të kontribuojë në kultivimin dhe promovimin e vlerave autentike të kulturës shqiptare në vend”, komentoi Grubi. (Indeks.mk)