Disha: Me paratë e punëtorëve të NKP-së, paguhen aktivistët e Lëvizjes Besa

Akuza të rënda në adresë të Lëvizjes Besa ka drejtuar Dr.Liridon Disha, koordinator i grupit të këshilltarëve të BDI-së në Komunën e Tetovës. Shkas për këtë ka qenë rasti i pagave të papaguara të punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Komunale të Tetovës. Ai pos aspektit social, shikon edhe dimensionin politik.

“Ne kemi reaguar disa herë në lidhje me punësimet e militantëve partiakë që në vazhdimësi i ka realizuar Lëvizja Besa, prej kohës kur e kanë filluar mandatin e tyre në krye të Komunës së Tetovës. Për fat të keq Lëvizja Besa në krye me Bilall Kasamin çdo ditë e më shumë krijon praktika të reja duke e dëshmuar se Komuna e Tetovës për ta është vetëm një burim financiar për financimin e agjendave të tyre antikombëtare”, ka thënë për indeks.mk Liridon Disha.

“Kjo që shihet sot dhe u aktualizua këto ditë, është paralajmëruar prej nesh muaj më parë, për të qenë më të saktë, prej momentit kur Lëvizja Besa kërkoi subvencionimin e NPK-Tetova, Tetovë me 5.000.000 denarë në dhjetor të vitit të kaluar. Atëherë ne (këshilltarët opozitarë) së bashku me këshilltarët e listës së pavarur MMPT, patëm votuar kundër dhe kjo pikë nuk kaloi në Këshill Komunal”, thotë ai, duke shtuar se Kryetari i Komunës e shfrytëzoi rastin në kohën kur Këshilli Komunal ishte jofunksional dhe miratoi subvencion prej 2.200.000 denarësh e më pastaj për një ditë 8 herë nga 350.000 denarë për NPK-Tetova, Tetovë.

“Ne reaguam edhe për këtë abuzim me taksat e qytetarëve, por nuk morëm as përgjigje nga Komuna e as përkrahje nga shoqatat joqeveritare të cilat, për hir të së vërtetës, kanë qenë shumë aktive vite më parë. Tani gjendemi në pozicion të ngjashëm. Këshilltarët e shumicës (Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE) votuan sërish një subvencion prej 25.000.000 denarë për NPK-Tetova, Tetovë me arsyetimin e PAGESËS SË RROGAVE TË PUNËTORËVE ME KONTRATË NË VEPËR. Edhe këtë akt e kundërshtuam sepse e dinim fort mirë se mjetet nuk do të shkojnë për rrogat e punëtorëve, por ose për militantët partiakë, ose për “allash-vereshet” e Bilall Kasamit dhe Lëvizjes Besa. Kjo, për fat të keq doli të jetë e vërtetë sepse Këshilli Komunal e miratoi transferimin e 25.000.000 denarëve (pa konsensus me opozitën), ndërsa punëtorët ende vazhdojnë të jenë pa rroga e pa kontribute shëndetësore.”, ka sqaruar Disha.

Ai e ka komentuar edhe kërcënimin punëtorit Kurtish Imeri, duke shprehur gatishmëri për t’iu kundërvënë atyre.

“Ne jemi të vendosur që t’i kundërvihemi çdo forme të tillë të funksionimit, duke i siguruar qytetarët tanë se në një të afërme të shpejtë drejtësia do të vendoset dhe Tetova do të fillojë sërish të frymojë në forma demokratike dhe në përputhje me vlerat Europiane, të cilat ne i kemi promovuar në vazhdimësi”, përfundon Disha në prononcimin e tij për indeks.mk.