EDITORIAL/ Pasi “i iku” Danella, Mickovski nuk zgjedh gjuhë e mjete!

Keni parë procese gjyqësore me prishje të kurorës? Aso farsash të mëdha kur ish-bashkëshortët nxjerrin gjithë të palarat e tyre para gjyqit, në përpjekje për të nxirë (tash) “palën” tjetër, edhe pse në martesë kishin hyrë me një dashuri të ndërsjellë të pakufishme?

Në këtë fazë kanë mbërritur marrëdhëniet midis Danella Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së. Pasi para ndonjë muaji dolën sheshazi një mori mosmarrëveshjes midis Partisë dhe të Zgjedhurës së saj në zgjedhjet e fundit lokale, me të cilën e riktheu Shkupin, gjërat shkuan keq e më keq në raportet e tyre, ka shkruar portali indeks.mk. Shkaqet për këtë prishje sa ishin të natyrës parimore, të cilat mund të analizohen në detaje nga shumë aspekte, aq ishin të një natyre banale, për paratë. Sepse gjëja kryesore ishte pakënaqësia e VMRO-DPMNE-së me ndikimin te çështjet financiare të projekteve në vlera miliona eurosh. Përnjëherë, prej “kryetares më të mirë” të Shkupit, ajo u personifikua me të keqen më të madhe.

Pas akuzave që bëri Danella Arsovska për kërcënimet që ajo thotë se i ka marrë nga VMRO-ja dhe Mickovski, tash jemi në fazën më të re: kur VMRO-DPMNE-ja, si një një farsë të vërtetë dëshiron të bindë publikun e gjerë në shëndetin mental të kryetares së Shkupit dhe e kërcënon me proces gjyqësor për shpifje.

Publiku i gjerë tash mund të argëtohet me gojën hapur si në një teatër absurdi, i hutuar edhe një herë midis “fazave” që i kanë përshkuar marrëdhëniet midis këtyre dy subjekteve. Dhe të shtrojë pyetjen se si demagogjia nuk i shqitet dot politikës si veprimtari. Gjëja që nuk është habitëse në këtë prishje kurore, është se te VMRO-DPMNE-ja disa “manire” veprimi nuk harrohen: kërcënimet dhe agresiviteti, saherë kur janë gjetur të pakënaqur. Tamam si në atë populloren, ujku qimen e ndërron, por jo hujin.

Ndaj, mund të jetë dëshpërues fakti se me gjithë retorikën e gjoja reformimit me një lider të ri, i cili “nuk është si Gruevski”, vijmë prapë te filosofia e tij. Por, kuptohet, këtu mund t’u bëhet vërejtje edhe njerëzve që kanë “kujtesë të shkurtër”, të cilët kanë harruar se gjatë zgjedhjes së kryetarit të ri, Mickovski ishte pikërisht “favoriti i Gruevskit”, i cili në mungesë të tij, do të vazhdonte të njëjtën rrugë. Me këtë ngarkesë, zor se do të shkonte shumë larg tij. Që të mos mbetet kjo vetëm si një dyshim, vetë Mickovski shumë herë e ka dëshmuar me vizitat në Budapest, ku është mentori i tij i strehuar duke ikur nga drejtësia. Për këtë, në media dhe nga oponenca është akuzuar për mungesë pavarësie në udhëheqje të partisë më të madhe opozitare. Ky është një hendikep i madh dhe një barrë gjithnjë e më e madhe për karrierën politike të Mickovskit, përfundon portali.