-Disa muaj pa rrogë, pa dy gishtërinj të dorës dhe i kërcënuar për vendin e punës, ky është fati i Kurtishit, i punësuar në NKP “Tetova”
Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetovë”, tanimë janë futur në grevë për shkak të mos pagesës së pagave ndaj tyre. Shumica prej tyre nuk kanë marrë paga për muajt shtator, tetor dhe nëntor. Ndërsa ka edhe raste më drastike, si ai i Kurtish Imerit, i cili, edhe pse i ka këputur dy gishtat e dorës në vendin e punës, kërcënohet se do t’i merret vendimi i punës, madje edhe është detyruar që të nënshkruajë se dorën nuk e ka lënduar në vendin e tij të punës.
Rasti ka ndodhur me 5 tetor, në ora 1.30 pas mesnate, thotë për Indeks.mk Kurtish Imeri i punësuar në Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetovë”, duke folur për momentin e kobshëm të humbjes së gishtërinjve të dorës në vendin e tij të punës.
“Si gjithë punëtorët edhe unë nuk i kam marrë rrogat e muajit shtator, tetor, nëntor. Më 5 tetor kjo më ka ndodhur në orar të punës në ora 1.30 pas mesnate. Në spital me kanë dërguar me veturë private, jo me Ndihmën e Shpejtë. Shefat e mi deri në muajin nëntor nuk janë interesuar fare për gjendjen time. Madje një person më është kërcënuar se nëse flas për rastin, do ta humbë vendimin e punës. Tash te Ndërmarrja Komunale Publike në Tetovë janë bërë të gjithë persona partiakë, edhe ai që punon me lopatë, nëse nuk është partiak, nuk mund të punojë në këtë ndërmarrje. Më vjen inati pse nuk e kam paraqitur rastin në polici, madje edhe disa dokumente në Shkup m’i kanë humbur. Kam pasur kërcënime, më kanë thënë mos angazho avokat se do mbetesh pa punë edhe pa gjithçka”, deklaroi Imeri për Indeks.mk
Ai tregon se si përgjegjësit e tij e kanë detyruar të nënshkruaj një dokument me të cilin dëshmohet se rasti i tij nuk ka ndodhur në vendin e punës, por në shtëpi.
“Më dhanë një letër ta nënshkruaj, unë nuk di as të shkruaj as të lexoj. Më tha njëri ta kanë bërë letrën që je lënduar në shtëpi jo në punë. Unë tash me këtë gjendje të dorës që jam nuk jam në gjendje asgjë të punoj, vetëm me një fshesë pa bisht mund të fshijë. Kjo s’ka logjikë!”, shprehet i mllefosur Kurtish Imeri.
Për kërcënimit ndaj këtij punëtori, ka dëgjuar edhe këshilltari i BDI-së, Liridon Disha. “
“Mund të them se është një akt shumë i shëmtuar që flet për vetë kërcënuesin i cili ka zgjedhur të kërcënojë një punëtor krahu në vend se t’i ndihmojë atij. Kjo flet qartë për mënyrën e funksionimit të Lëvizjes Besa dhe për metodat që i aplikojnë për ta ruajtur pushtetin. Megjithatë, ne jemi të vendosur që t’i kundërvihemi çdo forme të tillë të funksionimit, duke i siguruar qytetarët tanë se në një të afërme të shpejtë drejtësia do të vendoset dhe Tetova do të fillojë sërish të frymojë në forma demokratike dhe në përputhje me vlerat europiane, të cilat ne i kemi promovuar në vazhdimësi”, ka deklaruar Disha për indeks.mk.